Qëndrim Zyba ka startuar në qendër të mesfushës së Kosovës në fitoren 3:0 ndaj Andorrës, më 12 tetor. Për 22-vjeçarin e Ballkanit, ishte debutim në përfaqësuesen seniore.
Të dielën mbrëma, Zyba startoi sërish në qendër të fushës, ndërsa Kosova fitoi 1:0 ndaj Izraelit në “Fadil Vokrri”. Fitorja është vlerësuar shumë e vlefshme.
Zyba ka kompletuar ndeshjen e vështirë dhe është vlerësuar lart për paraqitjen.
Mesfushori punëtor vlerëson fillimin e karrierës te Kosova. Premton edhe më shumë për të ardhmen.
“Janë vetëm dy ndeshjet e mia të para dhe është goxha vështirë, pasi paraqitja për Kombëtaren është arritja më e madhe për një lojtar. Me pjekurinë e fituar besoj se do të japim në të ardhmen edhe më shumë, pasi nuk është ky maksimumi ynë që mund të bëjmë. Shpresoj të bëj më shumë për Kosovën”, ka thënë Zyba të hënën për KOHËN.
Përfaqësuesja e kishte të lirë të hënën, ndërsa prej të martës vazhdon përgatitjet për ndeshjet me Zvicrën dhe Bjellorusinë.
Pos Zybës, te Kosova startuan edhe Lumbardh Dellova i Ballkanit dhe Ilir Krasniqi i Llapit. Dellova e Krasniqi luajtën në mbrojtje së bashku me Fidan Alitin. Kështu lojtarët e klubeve të vendit janë bërë të rëndësishëm për përfaqësuesen.
“Gjithmonë kam punuar për të arritur në nivelin ta përfaqësoj Kosovën. E kanë parë të arsyeshme të na ftojnë në këtë kohë dhe e kam pranuar me shumë dëshirë dhe nuk mund ta gjykoj askënd për të kaluarën që nuk na kanë ftuar. E kam pranuar me kënaqësi ftesën dhe jam shumë i kënaqur që po përjetoj emocionet”, ka thënë Zyba.
Si pak lojtarë të tjerë, ai ka kaluar shkallët në ekipet përfaqësuese. Ka luajtur për U17, U19 dhe U21. Tani është pjesë e rëndësishme e përfaqësueses A.
Zyba është prej lojtarëve më të rëndësishëm edhe te Ballkani që po shkruan histori me kampanjën e dytë në Ligën e Konferencës.
“Kur synon diçka është mirë. Jam rritur me objektiva të mëdha, sepse kam luajtur për klube që kanë pasur synime të mëdha. Dhe, kur luan në nivele të tilla të bën të rritesh edhe si futbollist e po ashtu edhe si karakter më shumë, pasi synon gjithmonë për titull, kupë dhe edhe për kombëtare. Kur synon ndonjë evropian është edhe më mirë. Edhe ndeshjet ku nuk ka synime me përfaqësuese kanë peshë të madhe, pasi çdo ndeshje me Kosovën është obligim për ta dhënë më të mirën”, thotë Zyba.
Kosova nuk ka gjasa për kualifikim në Euro 2024, por synon paraqitje sa më të mira në dy ndeshjet e fundit kualifikuese. Të dy ndeshjet pritet të jenë rast për dëshmimin e mëtejmë të Zybës dhe disa lojtarëve të tjerë.
“Uroj ta kem shëndetin dhe do të punoj shumë duke mos u ndalur. Vetëm me punë e mbaj veten te Kosova. Shpresoj të jem gjatë për ta ndihmuar vendin tim gjithmonë sa herë ka nevojë”.
Një ngjarje e madhe është ëndërr e Zybës, njëjtë si e lojtarëve të tjerë.
“Është ëndërr e çdo futbollisti të arrijë të luajë në një ngjarje të madhe me shtetin e vet. Shpresoj të kualifikohem me Kosovën në Evropian. Shpresoj ta arrij një gjë të tillë. Është privilegj që përfaqësoj shtetin tim. Uroj që shpejt të vazhdoj karrierën në ndonjë shtet me futbollin më të zhvilluar, pasi do të përfitoja edhe unë, por edhe shteti im me rritjen si futbollist”, thotë Zyba.
Kosova ka pasur telashe të mëdha në mesfushë në vitet e fundit. Me Zybën, ky repart tashmë po konsolidohet.