Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Zviceranët refuzojnë mbështetjen financiare për Lojërat Olimpike Dimërore 2026

Votuesit në kantonin Valais refuzuan miratimin rreth mbështetjes financiare për kandidaturën e Zvicrës për të organizuar Olimpiadën Dimërore në vitin 2026.

Rreth 54 për qind e votuesve në kantonin Valais refuzuan të miratojnë 100 milionë franga zvicerane, që është rreth 101.5 milionë dollarë për organizimin e lojërave.

Vendimi i zgjedhësve zviceranë praktikisht shënon fundin e përpjekjeve të vendit për të pritur lojërat, të cilat duhej të mbaheshin në Sion, kryeqyteti i Kantonit të Valais, raporton Reuters.

“Ky është fundi i projektit për të sjellë Olimpiadën e Dimrit në Sion më 2026. Nuk mundëm të bindim shumicën e votuesve se ky është një projekt i arsyeshëm dhe i qëndrueshëm. Në fund, gjithçka ka të bëjë me paratë dhe njerëzit janë të shqetësuar se do të ishte shumë e shtrenjtë", zëdhënësi i fushatës për lojëra olimpike, Alexander Wefler.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të ftojë kandidatët që zyrtarisht të dorëzojnë një kandidaturë në një seancë në tetor dhe qyteti pritës do të zgjidhet në shtator 2019, transmeton KosovaPress.

Sipas sistemit të demokracisë së drejtpërdrejtë zvicerane, votuesve në Valais iu kërkua të miratojnë financat që do të përdoreshin për sigurinë dhe ndërtimin e infrastrukturës së qëndrueshme sportive.