Edon Zhegrova pati paraqitje të mirë në fitoren 1:0 në Jerevan kundër Armenisë me Kosovën.
Megjithatë, ai ka thënë se Kosova kundër Hungarisë duhet të paraqitet edhe më mirë se në miqësoren e së premtes mbrëma.
“Së pari, rezultati ka qenë shumë pozitiv për ne. Mendoj që loja është dashur të jetë shumë më e mirë. Besoj që për ndeshjen e radhës kundër Hungarisë duhet të jemi shumë më të mirë se në këtë ndeshje. Por, me rëndësi është se jemi duke u njoftuar me trajnerin dhe jemi duke u adaptuar me taktikat e tij dhe shpresoj që të arrijmë fitore edhe në ndeshjet e radhës”, ka thënë fillimisht Zhegrova për faqen zyrtare të FFK-së.
Zhegrova më pas theksoi se mundohet ta jap më të mirën gjithmonë.
“Gjithmonë mundohem që me kualitetin tim ta ndihmoj ekipin, si në klub ashtu edhe në Kombëtare. Unë gjithmonë do të bëj më të mirën dhe do ta jap maksimumin që të shkojmë sa më përpara me Kosovën”, është shprehur futbollisti i Lillet francez.