“Ne jemi të zemëruar pasi ai beson se mund të bëjë çfarë të dojë dhe prapë të jetë i pëlqyer. Ai nuk e kupton se si është të jesh një tifoz i vërtetë”.
Simon Bengtson është një nga shumë tifozët e Malmos që nuk është i gatshëm ta falë Zlatan Ibrahimoviqin.
Kanë qenë disa muaj të vështirë për legjendën suedeze në qytetin e tij, transmeton Koha Ditore shkrimin e BBC.
Sulmuesi me përvojë ka parë trashëgiminë e tij si ikonë e Malmos të rrëzohet, si në mënyrë figurative ashtu edhe në kuptim të plotë të fjalës, pasi investimi te rivali suedez, Hammarby, dhe deklarimi se dëshiron ta bëjë atë skuadrën më të madhe në Skandinavi, ka qenë moment i prishjes së një marrëdhënieje me tifozët e Malmos, skuadër së cilës i ishte bashkuar si fëmijë.
Statuja, që është ngritur për nder të sulmuesit rekordmen të Suedisë, ishte zbuluar në Malmo vetëm në tetor, ndërsa Ibrahimoviqi kishte thënë atëbotë se është e dedikuar “për të gjithë ata që nuk ndihen të mirëseardhur”.
Sulmuesi ka aluduar në vështirësitë që ka pasur duke u rritur në Suedi, por ai nuk e kishte ditur se statuja vetë do të bëhet e padëshiruar në Malmo.
Në orët e hershme të 5 janarit, vandalët rrëzuan statujën duke ia këputur kyçet e këmbës, që ishte goditja finale në një seri të goditjeve ndaj statujës që pas njoftimit për investim te Hammarby.
Statujës i ishte këputur hunda, ishte ngjyrosur me ngjyrë dhe madje ishte tentuar edhe të digjet.
Tradhtia e bërë
Vandalët janë përkujdesur për sulmet në statujë, mirëpo ndjenja e zemërimit dhe zhgënjimit është e gjerë në Malmo.
“Do të thosha se një shumicë e tifozëve të Malmos janë të zhgënjyer me Zlatanin. Asnjëri nuk e mbron atë. Sigurisht disa mendojnë se vandalizmi është gabim, por në të njëjtën kohë ata e kuptojnë se pse njerëzit e kanë bërë këtë”, ka deklaruar Bengtsson për BBC-në.
Ndonëse ai kurrë nuk fitoi trofe në Suedi dhe luajti më pak se 50 ndeshje me skuadrën e parë të Malmos, prapë tifozët e klubit e kanë parë Ibrahimoviqin si një sukses të vetin dhe një burim krenarie që ai ka arritur aq shumë. Tash ata ndihen të tradhtuar që ndjenja e krenarisë nuk është reciproke...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)