Sport

Ylberi i “Skifterave” dhe i Gjilanit

Në fushën e lojës njihet si lojtar i ashpër, i pakompromis në duele dhe që ofron maksimumin. Jashtë fushës së futbollit thotë se është i thjeshtë, i shoqërueshëm dhe tip i qetë.

Mbrojtësi i qendrës, Ylber Kastrati gëzon respekt e përkrahje nga tifozët e Gjilanit, "Skifterat". Është angazhimi i pashoq në fushë dhe sjelljet jashtë saj, që ia garantojnë respektin e një prej tifo-grupeve të mëdha të futbollit kosovar, shkruan Koha Ditore.

Kastrati është kapiten i Gjilanit, ndërsa shquhet edhe për motivimin e lojtarëve. Ka bashkëpunim të mirë edhe me tifozët në tribunë.

Mbi të gjitha dashuria e madhe që ka për ngjyrat e klubit ka bërë që Kastrati të gëzojë respektin e të gjithëve te Gjilani dhe rreth Gjilanit. Ai ndihet krenar për këtë. Është i lumtur që asnjëherë ekipit të zemrës nuk ia ka kthyer shpinën, edhe kur Gjilani ishte në situatë të vështirë financiare.

“Natyra ime jashtë fushës dallon në krahasim me atë në fushë. Të gjithë e dinë se në fushë jam agresiv dhe i ashpër për shkak se ashtu jam i formuar si qendërmbrojtës, por kontribut në këtë aspekt ka dhënë edhe gjaku i nxehtë, për të fituar duelet dhe për të kontribuar maksimalisht për ekipin. Ndërsa jashtë fushës jam shumë i qetë, i shoqërueshëm pa komplekse dhe mbi të gjitha një person shumë i thjeshtë”, shprehet Kastrati. “Pra, loja ime karakterizohet nga ashpërsia në duele, përkushtimi ndaj çdo momenti në fushë dhe loja në ajër”.

32-vjeçari është i pazëvendësueshëm në përbërjen e ekipit të Gjilanit tashmë një kohë të gjatë. Në fakt ai ka më shumë se një dekadë që është pjesë e ekipit të parë dhe insiston se asnjëherë nuk e ka menduar largimin, pavarësisht ofertave të majme që i ka marrë jo vetëm nga ekipet e Kosovës, por edhe ato të Shqipërisë e Maqedonisë... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)