Të mërkurën në mbrëmje, Chicago Fire njoftoi për transferimin e Xherdan Shaqirit.
Shaqiri u transferua në SHBA për rreth shtatë milionë euro dhe do të ketë kontratë deri në vitin 2024.
I lumtur për këtë lëvizje të futbollistit shqiptar me përvojë të madhe në skenën evropiane, është shprehur përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin.
“Jam i lumtur për Shaqirin. Puna në ligën MLS është profesionale dhe në këtë ligë kërkesat janë të mëdha. Është e rëndësishme që ai të luajë rregullisht dhe të kënaqet”, ka thënë fillimisht Yakin për gazetën zvicerane, “Blick”.
Madje, Yakini beson se lëvizja e tij në SHBA mund të jetë përparësi edhe për përfaqësuesen helvetike, që në fund të vitit do të luajë në Kupën e Botës “Katari 2022”.
Edhe
Shaqiri largohet nga Chicago Fire
“Nuk jam i shqetësuar sepse jam i sigurt që Shaqiri do të jetë në ritëm të mirë për Kupën e Botës. Mund ta keni parë edhe ju në vitin 2021, rëndësinë që ai e ka për ne. Në fillim nuk i shkonin gjërat mirë, por kur ai luajti disa ndeshje, ai ishte i gatshëm të vendoste ndeshje”, është shprehur përzgjedhësi Yakin.
Nga 21 marsi, Përfaqësuesja e Zvicrës do të jetë në Marbella të Spanjës, para se të luajë kundër Anglisë më 26 mars, dhe kundër Kosovës në stadiumin “Letzigrund”, më 29 mars.