Nora Gjakova ka munguar gati tërë vitin e kaluar. Iu nënshtrua një operimi në krah dhe garoi për herë të parë në fund të tetorit. Fitoi dy medalje të rëndësishme, ndërsa shumë më tepër pret gjatë këtij viti.
Kampionia olimpike synon të gjejë ritmin në vitin e fundit para Lojërave Olimpike “Parisi 2024”. Në fakt jo vetëm për Norën 2023-a është vit i rëndësishëm. I tillë vlerësohet për gjithë ekipin e Kosovës në xhudo, dukshëm më të mirin në vend.
Shumë xhudistë synojnë të bëjnë hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në Olimpiadën e Parisit. Dhe natyrisht synojnë medalje në ngjarjet e mëdha, sidomos në Botëror dhe Evropian.
Medaljet në këto ngjarje i dëshiron edhe Nora. Por synimi kryesor i saj mbetet paraqitja në Paris.
“Normal që synimi kryesor do të jetë Olimpiada në Paris. Tash kam hyrë në listën e garuesve që pretendojnë të kualifikohen në Lojërat Olimpike në Paris. I kam dy medalje. Shpresoj që në pjesën e parë kualifikimet të përfundojnë me sukses. Kurse viti i dytë do të jetë më i rëndësishmi sepse pikët numërohen 100 për qind. Dhe shpresoj që në atë kohë unë të arrijë formën time 100 për qind, sepse po më duket që ende jam në fazë rehabilituese. Nuk jam si kam qenë më përpara, por kjo merr kohë dhe unë besoj që me punën që e bëjmë këtu do të kthehem siç duhet”, ka thënë Nora Gjakova për KOHËN.
Garën e parë të vitit xhudistët do ta kenë në Lisbonë të Portugalisë prej 27 deri më 29 janar. Dhe që në garën e parë, që është Grand Prix, do të ketë emra të rinj në ekipin elitar. Pos Loriana Kukës, Laura Fazliut e Flaka Loxhës, do të garojnë edhe Shpati Zekaj dhe Dardan Cena.
Trajneri Driton Kuka ka treguar se Zekaj do të paraqitet rregullisht në garat e Turit Botëror të Xhudos, që janë garat kryesore ku mblidhen pikë për normë olimpike. Ndërkohë, Cena do të testohet herë pas here në nivelin më të lartë.
Në fillim të shkurtit është Grand Slami i Parisit, njëra prej garave më prestigjioze të xhudos. Në Paris do të paraqiten dy kampionet olimpike, Nora Gjakova e Distria Krasniqi si dhe Laura Fazliu, Loriana Kuka e Shpati Zekaj. Duke sanuar një lëndim të krahut është Akil Gjakova, ndërsa ai do të kthehet në gara më vonë këtë vit.
“Hyjmë në vitin e fundit olimpik prej muajit korrik. Kemi kohë, jemi duke u konsoliduar, ekipi olimpik Distria, Laura, Loriana, Nora janë në rrugë të mirë. Shpejtë do të bashkangjitet me ekipin edhe Akili. Shumë shpresoj që gjasa për normë olimpike ka edhe Shpati. Do ta ketë shumë vështirë, por nuk është pa gjasa. Realisht e ka rritur nivelin. Mendoj që niveli i tij në stërvitje dhe në kampe është aty te norma olimpike. Por se a do ta arrijë normën, do të shihet në gara. Megjithatë, garat janë ato që i vendosin në pah kampionët e vërtetë. Por me të vërtetë nivelin e ka rritur. Besoj se do të kemi emra të rinj në Lojërat Olimpike në Paris. Laura me siguri, por gjithsesi gjasa të mëdha ka edhe Shpati që të mbërrijë normën. Po mendoj që këta dy që i përmenda do të jenë shtyllat kryesore të Lojërave Olimpike 2028, pasi ciklet olimpike po kalojnë shumë shpejtë”, ka thënë trajneri i Kosovës, Driton Kuka.
Sa u takon garave të këtij viti, fokusi do të jetë te Kampionati Botëror që mbahet prej 7 deri më 14 maj në Doha të Katarit. Me shumë rëndësi është edhe Kampionati Evropian që mbahet në Montpellier të Francës prej 3 deri më 5 nëntor.
Këtë vit janë edhe disa ngjarje shumësportëshe në të cilat paraqitet Kosova. Fokusi i Komitetit Olimpik të Kosovës do të jetë te Lojërat Evropiane që mbahen prej 21 qershorit deri më 2 korrik në Poloni.