“Synimi është dhjetë fitore nga dhjetë ndeshje”, kishte thënë kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, në fillim të ciklit eliminator “Euro 2024”.
Kjo deklaratë u përcoll me tri fitore dominuese ndaj Bjellorusisë, Izraelit e Andorrës, si dhe një paraqitje fantastike në 75 minutat e parë kundër Rumanisë. Pastaj, kjo ndeshje dhe të tjerat në këto eliminatore u kthyen përmbys. Konkludimi: Që nga ndeshjet e para në mars, Zvicra ka qenë në gjendje ta mposhtë vetëm Andorrën e vogël. Me Rumaninë, Izraelin, Kosovën, Andorrën e Bjellorusinë në grup, Zvicra ishte favorite të kualifikohej nga pozita e parë në grup. Por, kështu nuk mendon drejtori i përfaqësueses zvicerane, Pierluigi Tami.
“Ekipi tregoi në fushë se ende nuk është gati për rolin e favoritit”, pranoi ai.
Megjithatë, kritikët dhe tifozët janë kapur për deklaratën e Xhakës dhe po insistojnë se dhjetë fitore nuk ishin të pamundura apo të paktën ky është dashur të jetë synimi i Zvicrës. Selektori i Zvicrës, Murat Yakin ka thënë se deklarata e kapitenit Xhaka ishte e rrezikshme. Ndërsa këtë deklaratë e ka komentuar edhe Xherdan Shaqiri, pasi Zvicra pësoi 1:0 në ndeshjen e fundit nga Rumania dhe përfundoi e dyta në grup për t’u kualifikuar në Evropianin e vitit të ardhshëm.
“Ne lojtarët duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të kemi kujdes se çka po flasim. Nuk është më lehtë, madje edhe ndaj ekipeve të vogla. Ne ende jemi Zvicra e vogël”, tha Shaqiri.
Megjithatë, Xhaka ka qëndruar pranë deklaratës së tij që e ka dhënë në fillim të kualifikimeve, ndonëse Zvicra ishte pa fitore në katër ndeshjet e fundit.
“Xherdani e ka mendimin e tij, unë e kam mendimin tim dhe 25 lojtarët e tjerë kanë mendimin e tyre. Ne kemi marrë pjesë në gjashtë turnetë e fundit dhe është normale të kesh synime të madhe. Nëse dikush nuk ka synime të tilla, atëherë është punë e tij. Por, unë i kam pasur këto pritje prej ekipit dhe kështu do të mbetet edhe në të ardhmen”, është shprehur Xhaka.
Në fakt, Xhaka nuk e sheh dështimin e Zvicrës te synimet e larta, por më shumë tek efikasiteti i ekipit.
“Të gjithë e kanë parë si kemi luajtur. Nuk është për shkak të përkushtimit apo vullnetit, por për shkak se nuk kemi shënuar gola dhe jemi ndëshkuar me çdo goditje në portë. Nëse do t’i kishim shfrytëzuar rastet e pastra që i kemi lëshuar, do të flisnim për një kualifikim direkt”, insistoi Xhaka, i cili dha përgjigje të shkurtër nëse ishte penduar për deklaratën e tij për dhjetë fitore në po aq ndeshje në këto kualifikime. “Jo”.
Megjithatë, përkundër këtyre rezultateve, selektorit Murat Yakin automatikisht i është zgjatur kontrata deri në vitin 2024. Xhaka ka folur edhe për përzgjedhësin, me të cilin nuk i ka pasur raportet e mira kohët e fundit.
“Unë besoj se në Evropian do të jemi me Yakinin, pasi marrëveshja e tij me ekipin është shumë e mirë dhe lojtarët dëshirojnë të punojnë me të. Sikur t’i kishim fituar të gjitha ndeshjet, tani nuk do ta kishim çështjen Murat Yakin”, shtoi Xhaka.
Drejtori Tami ka thënë se Yakin do të duhet të shpjegojë se çfarë ka ndodhur në muajt e fundit me ekipin dhe çfarë zgjidhjeje ka në kokë përpara Evropianit që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani. Tami ka përmendur rastin e kapitenit Xhaka, i cili pas barazimit 2:2 në udhëtim me Kosovën kishte kritikuar Yakinin për intensitetin e stërvitjeve. Ai ka thënë se ka biseduar me Xhakën për këtë.
“Unë pas ndeshjes së parë me Kosovën dhe kritikave të Granitit, në stërvitje kam biseduar me të dhe trajnerin për dhjetë minuta dhe i kam lënë më pas ta flasin në katër sy. Ata e pranuan se ky diskutim ishte i nevojshëm dhe i dobishëm. Granitit i thashë se është një gabim i qartë pak ditë para ndeshjes së radhës kualifikuese. Autoriteti i trajnerit duhet të ruhet në të gjitha rastet”, ka thënë Tami.
Ciklin eliminator, Zvicra e ka mbyllur me katër fitore, pesë barazime dhe një humbje. Ka tubuar 17 pikë, pesë më pak se Rumania që doli e para në grup.