Serena Williams ka fituar turneun e saj të parë pas tre vjetëve dhe të parin qëkur është bërë nënë. Williams, të dielën, fitoi turneun Auckland Classic duke mposhtur në finale Jessica Pegulan me 2:0 në sete (6:3, 6:3).
Ishte turneu i parë i fituar për amerikanen 38-vjeçare që kur triumfoi në Grand Slamin “Australian Open” në vitin 2017 dhe është turneu i 73-të në WTA i fituar nga Williams, raporton BBC.
Williams kishte humbur në finale të Grand Slamit Wimbledon dhe të atij “US Open” në vitin 2018 dhe 2019. Po ashtu, vitin e kaluar u detyrua të hiqte dorë nga finalja e Rogers Cup shkaku i një lëndimi.
Ajo pas triumfit në finale ndaj bashkëkombëses, Pegula, ka thënë se do të dhurojë paratë e fituara në Auckland si ndihmë për luftën ndaj zjarreve në Australi. E po ashtu do ta dhurojë edhe fustanin që e pati veshur gjatë turneut, duke e shitur atë në ankand.
“Është ndjenjë e mirë. Ka kaluar shumë kohë pa fituar një turne dhe mendoj se keni mundur të shihni çlirimin në fytyrën time. Kam kaluar nëpër shumë gjëra dhe jam e lumtur që po bëj atë që dua”, ka deklaruar Williams, transmeton Koha Ditore.
Grand Slami “Australian Open” nis më 20 janar, ku Williams synon të barazojë rekordin e Margaret Courtit prej 24 Grand Slameve të fituara në konkurrencë individuale.
Williams ka fituar titullin e saj të parë në WTA në shkurt të vitit 1999, kur kishte mposhtur francezen Amelie Mauresmo në turneun “Open Gaz de France”.
Edhe
Sinneri mbron titullin në “Wimbledon”
Në finalen në Auckland të dielën, Williams nisi ngadalë, duke ngelur në disavantazh 3:1 në setin e parë, para se të merrte veten dhe të fitonte pesë gemet e radhës dhe setin e parë. Në setin e dytë Williams nisi më mirë dhe kështu nuk lejoi një befasi.
Ajo festoi në fushë me vajzën e saj, Olympia, me të cilën ishte tetë javë shtatzënë kur fitoi Grand Slamin “Australian Open” në vitin 2017.
Williams ishte edhe në finale të çifteve në Auckland me danezen Caroline Wozniacki, por ato u mposhtën 6:4 dhe 6:4 nga Asia Muhammad e Taylor Townsend.