Arsene Wenger insiston se thirrjet që ai të largohet nga Arsenali nuk i ka marrë afër zemrës, madje ndonjëherë edhe ai e urren veten kur i humb ndeshjet.
67 vjeçari ende nuk e ka konfirmuar nëse do të jetë apo jo pjesë e Arsenalit nga sezoni i ardhshëm, pasi në verë i skadon kontrata, transmeton Koha.net.
Arsenali gjithmonë ka hyrë në top katërshe nën menaxhimin e Wengerit, që nga viti 1996, por sivjet është në vendin e gjashtë dhe rrezikon të mos hyjë në Ligën e Kampionëve.
“Unë jam si të gjithë, preferoj të më duan se sa të më urrejnë, por distancohem nga kjo. Gjithashtu e di se s’ka të bëjë me personin, ka të bëjë me faktin se menaxheri nuk po i fiton ndeshjet. Ata duan që të fitojnë dhe këtu unë mund të bëj dallimin”, është shprehur ai për televizionin norvegjez TV2.
Francezi më tutje shton se, “nuk e marr atë personalisht. Në fakt, unë e urrej veten – menaxherin, më shumë se çdokush kur nuk i fitoj ndeshjet. Jam një humbës shumë i keq”.
Arsenali nuk e ka fituar ligën nga 2004, por ka fituar dy FA Cup në tre sezonet e fundit.