Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vojvoda në krahun e majtë, eksperiment i pasuksesshëm i Torinos

Pasi e kaloi koronavirusin, Mërgim Vojvoda të shtunën u kthye në përbërjen bazë të Torinos. Por jo në pozitën e tij të zakonshme, atë të mbrojtësit të djathtë. Ai është aktivizuar në krahun e majtë dhe eksperimenti i trajnerit të Torinos doli i pasuksesshëm.

Sipas “toro.it”, sajtit të afërt me Torinon, eksperimenti i trajnerit Marco Giampaolo ka dështuar. Torino luajti me sistemin 3-5-2, me Vojvodën si lojtar të krahut të majtë. Ai mbuloi atë pozitë për shkak të mungesave në formacionin e Torinos. Vojvoda është vlerësuar prej më të dobëtëve në fushë, ndërsa Torino pësoi 3:2 nga Udinese.

“Vështirësitë e Vojvodës për t’u përshtatur në krahun e majtë, kanë rënë në sy. Këmba e tij e fortë është e djathta. Paraqitja e tij ishte plot gabime në pasime dhe krosime. Ai nuk ishte në gjendje të ndihmonte ekipin në fazën ofenzive apo atë defenzive. Në fillim të pjesës së dytë u ndëshkua me karton dhe më pas me të drejtë u zëvendësua”, ka shkruar “toro.it”.

Vojvoda mungoi në katër ndeshje. 25-vjeçari ka tetë paraqitje deri më tani në Serie A për Torinon.