Forma jokonstante e Mërgim Vojvodës këtë edicion te Torino ka bërë që e ardhmja e mbrojtësit të krahut të jetë në dyshim tek ekipi italian.
Vojvoda nuk është lojtari që ishte edicionin e shkuar pasi këtë sezon ka pasur ulje e ngritje të formës, gjë që nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit Ivan Juriq. Sajti i afërt me klubin “Toro.it”, ka shkruar se Vojvoda deri në fund të këtij kampionati ka kohë për ta bindur klubin që ta mbajë në radhët e veta dhe t’ia ofrojë rinovimin e kontratës që i skadon vitin tjetër. Aktualisht në klub nuk janë të bindur për ta mbajtur 28-vjeçarin, të cilit tashmë vendin ia ka zënë Ricardo Rodriguezi. Rënia e Vojvodës nga forma ka bërë që trajneri Juriq ta aktivizojë reprezentuesin e Zvicrës në krahun e majtë.
“Rënia e formës së Vojvodës ka vënë në dyshim edhe të ardhmen e tij në klub. Për këtë arsye Vojvoda ka kohë që deri në fund të sezonit ta gjejë formën e tij të mëparshme dhe ta bindë trajnerin e drejtuesit se ka të ardhme te Torino”, ka shkruar sajti italian.
Rodriguez zakonisht ka luajtur në mbrojtje, por tani është zhvendosur në krahun e majtë të mesfushës për ta zëvendësuar Vojvodën. Bëhet e ditur se trajneri Juriq nuk është i kënaqur me Vojvodën, i cili vetëm shtatë ndeshje në Serie A i ka luajtur nga 90 minuta. Në 18 paraqitje deri më tani, Vojvoda ka edhe katër asistime në ndeshjet kampionale, ndërsa në total këtë edicion i ka luajtur 21 ndeshje në të gjitha garat.
“Trajnerit Juriq nuk i pëlqen aspak forma luhatëse e lojtarëve që i aktivizon në krah dhe për këtë arsye ai nuk po llogarit shumë te Vojvoda. Juriq po shpreson që ai të punojë më shumë për t’u rikthyer siç ishte më herët”, ka vazhduar “Toro.it”.
Edicionin e shkuar Vojvoda ka qenë ndër lojtarët më stabil te Torino dhe më të preferuarit e trajnerit Juriq. Në 29 ndeshje kampionale ai pati tri asistime dhe pothuajse ishte titullar i padiskutueshëm në ekip. Vojvoda është pjesë e Torinos prej vitit 2020, kur iu bashkua nga Standard Liege, ndërsa ka edhe 45 paraqitje për Kosovën, ku ka regjistruar dy gola.