Mbrojtësi i krahut, Mërgim Vojvoda ka luajtur pak minuta në fitoren e Torinos që e arriti në udhëtim te Lecce, të dielën. Ndeshja që i takoi xhiros së 26-të në Serie A, përfundoi me shifrat 2:0 në favor të Torinos. Skuadra e Torinos fitoren e siguroi qysh në pjesën e parë kur realizoi të dy golat.
Stephane Singo (20’) dhe Antonio Sanabria (23’) shënuan golat e fitores.
Vojvoda u inkuadrua në minutën e 78-të, ndërsa Etrit Berisha nuk ishte përfshirë fare në ekip. Në anën tjetër, Lecces i mungoi mbrojtësi Kastriot Dermaku që ende nuk është rikuperuar nga lëndimi. Me këtë fitore, Torino ka tubuar 37 pikë, dhjetë më shumë se Lecce.