Granit Xhaka nuk ishte në mesin e golashënuesve në fitoren e thellë të Arsenalit. Arsenali të dielën në kuadër të Premier Leagues fitoi 5:0 ndaj Norwich Cityt.
Por mesfushori shqiptar ishte autor i momentit më të përfolur të ndeshjes. Derisa gjendej i vetëm në mesin e fushës, kapitenit të Zvicrës i erdhi një top nga krahu i kundërt. Xhaka nuk bëri pranim të zakonshëm të topit. U përkul pak dhe për befasinë e shumë njerëzve, e ndali topin me shpinë. E kishte “luksin” për ta bërë këtë. Skuadra e tij po udhëhiqte bindshëm, ndërsa kosovari nuk e kishte asnjë futbollist kundërshtar afër.
Natyrisht në rrjetet sociale dhe në faqe të ndryshme në internet veprimi i Xhakës ka zënë vend menjëherë. Dhe vlerësimet janë të ndryshme. Shumë të tillë kanë vlerësuar se Xhaka ka shfaqur mosrespekt ndaj kundërshtarit duke e pranuar topin me shpinë.
“Granit Xhaka shfaqi aftësinë më të panevojshme në fitoren e Arsenalit ndaj Norwichit”, ka shkruar sajti givemesport.com.
Faqja shumë e popullarizuar, sportbible.com, ka shkruar në titull se Xhaka ka shfaqur mosrespekt të skajshëm ndaj Norwichit në fitoren 5:0.
Twitteri është mbushur me postime për veprimin e Xhakës.
Edhe
Xhaka me pranim interesant të topit
“Epo kjo është shumë jorespektuese. Kur Xhaka fillon të shfaqë Ronaldinhon ndaj jush, ju duhet ta likuidoni klubin tuaj të futbollit”, është njëri prej postimeve së bashku me videon e Xhakës.
“Xhaka është ndoshta lojtari i fundit që do të imagjinoja ta bënte këtë”, ka shkruar një tjetër.
Arsenali mban pozitën e katërt me 35 pikë nga 19 ndeshje. Norwichi është i fundit me vetëm 10 pikë nga 18 ndeshje. Pjesë e kësaj skuadre është Milot Rashica. Ai po mungon për shkak të një lëndimi.