Dy kartonë të kuq e tri gola u panë në stadiumin “De La Ceramica” të Villarrealit.
Villarreali e fitoi duelin e parë kundër Arsenalit 2:1, ndërsa finalisti do të caktohet në javën që vjen në “Emirates Stadium”.
Për afër gjysmë ore lojë, “nëndetësja e verdhë” krijoi epërsi prej dy golave.
Manuel Trigueros bashkëveproi me Samuel Chukwuezen pas pesë minutash lojë dhe e realizoi golin e parë.
Goli i dytë u shënua nga ish-qendërmbrojtësi i Real Madridit e Napolit, Raul Albiol. Gerard Moreno asistoi për të në minutën e 29-të.
Gjërat u vështirësuan për Arsenalin në minutën e 57-të kur Dani Ceballos u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Sidoqoftë, të udhëhequrit e Mikel Artetas nuk u ndalën dhe realizuan nëpërmjet Nicolas Pepes, që ishte i saktë për 2:1 nga pika e bardhë në minutën e 73-të.
Etienne Capoue i Villarrealit u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja në minutën e 80-të.
Granit Xhaka ishte titullar edhe në këtë ndeshje dhe e kompletoi 90-të minutëshin.