Japonia u vlerësua naive kur u eliminua nga Kupa e Botës katër vjet më parë nga Belgjika. Tani vendimet taktike të japonezëve kanë mërzitur Gjermaninë dhe Spanjën, si dhe e kanë dërguar Japoninë në 1/8 e finales të turneut të Katarit.
Japonia do të përballet me Kroacinë në raundin e parë eliminues, të hënën, pasi fitoi Grupin E me dy fitore mahnitëse ndaj gjigantëve të Evropës – Gjermanisë dhe Spanjës. Japonia dukej e “vdekur” kur ishte në disavantazh në të dyja ndeshjet. Por trajneri Hajime Moriyasu ndihmoi në ndryshimin e gjërave me zëvendësime dhe ndryshimet taktike. Kapiteni Maya Yoshida vlerësoi planin e lojës kundërsulmuese të trajnerit Moriyasu, për suksesin e madh dhe iu kundërpërgjigj perceptimeve se Japonisë i mungon guximi për të garuar në skenën botërore.
“Ne nuk jemi të befasuar me këtë arritje, por të tjerët janë të habitur”, tha Yoshida.
Japonia u eliminua në 1/8 e finales katër vjet më parë në Rusi, pasi hodhi poshtë epërsinë me dy gola për të humbur 3:2 nga Belgjika. Mesfushori Keisuke Honda u kritikua për një goditje nga këndi në minutën e fundit që e bëri në zonë te rezultati 2:2, pasi Belgjika fitoi topin dhe vrapoi në anën tjetër për të shënuar. Historia e thyerjes së zemrës në fund të ndeshjes për Japoninë shkon më thellë se kaq, pasi iu mohua debutimi në Kupën e Botës në vitin 1994 nga një gol i minutës së fundit nga Iraku në ndeshjen e fundit kualifikuese në kryeqytetin e Katarit, Doha. Ndeshja është bërë e njohur në Japoni si “Tragjedia e Dohas”, por Moriyasu tha se fitoret ndaj Gjermanisë dhe Spanjës janë dëshmi se ato ditë tashmë kanë kaluar.
“Rreth një minutë para përfundimit të lojës mendova për ‘Tragjedinë e Dohas’’’, tha Moriyasu, ekipi i të cilit do të ishte eliminuar nëse Spanja do të kishte barazuar. “Por pikërisht në atë moment lojtarët shkuan për topin me vendosmëri dhe unë ndjeva se kohët kanë ndryshuar. Lojtarët po luajnë një epokë të re të futbollit tani”.
Moriyasu zbuloi se plani i tij ndaj Spanjës ishte i njëjtë sikurse me Gjermaninë. Të përpiqej të mbante Spanjën pa gola në pjesën e parë dhe më pas të sillte sulmues të shpejtë për t'i goditur në kundërsulm. Spanja avancoi herët, por Japonia nuk u frikësua dhe arriti ta fitonte ndeshjen. Moriyasu inkuadroi në lojë lojtarët Ritsu Doan dhe Kaoru Mitoma në fund të pjesës së parë dhe dyshja i nxori telashe mbrojtjes spanjolle, duke kombinuar për ta kaluar Japoninë në avantazh brenda disa minutave pas fillimit të pjesës së dytë.
Yoshida tha se opsionet e sulmit që i ka në dispozicion trajneri Moriyasu do të thotë se Japonia nuk mund të llogaritet kurrë e dobët nga kundërshtari.
“Në pjesën e dytë të dy skuadrat po rrezikonin më shumë dhe kjo krijon hapësirë prapa. Edhe për qendërmbrojtësit e mirë, nëse lojtarët e shpejtë sulmojnë hapësira të mëdha, është gjithmonë e vështirë. Ky ishte plani ynë dhe ne duhej të mbroheshim mirë, sepse zotërimi i tyre ishte vërtet i mirë”, tha ai.
Fitoret e Japonisë ndaj Gjermanisë dhe Spanjës ishin në kontrast të plotë me humbjen 1:0 nga Kosta-Rika, ku japonezët luftuan për të thyer kundërshtarin me mendësi mbrojtëse.
Moriyasu u kritikua se ishte shumë i kujdesshëm ndaj një skuadre si Kosta-Rika që kishte humbur 7:0 nga Spanja në ndeshjen e parë. Por trajneri këmbënguli se nuk do të ndryshonte qasjen. Moriyasu ka theksuar nevojën që lojtarët të qëndrojnë të qetë në Katar, duke u kërkuar atyre që të mos përfshihen nga emocionet. Mbrojtësi Yuto Nagatomo tha se sjellja e trajnerit transmeton qetësi te lojtarët.
“Edhe nëse Spanja kishte shumë zotërim të topit, ne duhej të siguroheshim që të mos bëheshim negativë apo nervozë”, tha ai. “Moriyasu na tha se patjetër do të kishim shanse në kundërsulm dhe ne i besuam atij. Trajneri nuk u lëkund. Dhe nëse menaxheri nuk lëkundet, as lojtarët nuk lëkunden”.