Skuadra e Superligës së Kosovës në futboll, Gjilani, është afër transferimit të mbrojtësit Franc Veliu, i cili ka karrierë të bujshme në kampionatin e Shqipërisë.
Mediumet tiranase kanë njoftuar të dielën se Veliu në parim ka arritur marrëveshje me Gjilanin dhe gjatë këtyre ditëve pritet prezantimi i tij, shkruan “Koha Ditore”.
Veliu 30-vjeçar, edicionin e shkuar ishte pjesë e Flamurtarit të Vlorës, kurse ka luajtur edhe te Partizani e Kukësi. Ai ka shtatë paraqitje me Kombëtaren e Shqipërisë, kurse te Gjilani do të jetë përforcimi i dhjetë gjatë kësaj vere dhe i teti që edicionin e shkuar ishte pjesë e kampionatit shqiptar.
Para tij te Gjilani janë transferuar edhe Tomisllav Bushiq, Gerhard Progni, Shkëlqen Ruçi, Erlis Frashëri, Oltion Rapa, Jackson Ferreria, Muhamet Useini, Qëndrim Dautaj e Bedri Greca.