Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vdiq trajneri i njohur Mehmet Fetahu-Meksa

Mehmet Fetahu-Meksa, trajner që i dha shumë futbollit të Kosovës, ka vdekur të dielën. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi të dielën ka lëshuar mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të trajnerit shumëvjeçar, Mehmet Fetahu.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin se sot na la njeriu që i dha shumë futbollit, miku dhe bashkëveprimtari im, Mehmet Fetahu-Meksa, andaj në emrin tim dhe të KE të FFK-së, më lejoni të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut tuaj më të dashur. Meksa ishte një personalitet shumë i afërt dhe i dashur për tërë komunitetin sportiv.

Ai iku sot në përjetësi për të pushuar i qetë. Futbolli ishte ai që e lidhi miqësinë tonë qysh në rininë e hershme, e cila më pas u bë e përhershme. Me Meksën luajtëm dhe kontribuuam për futbollin e Kosovës në të njëjtën kohë, derisa më pas ai e udhëhoqi si trajner klubin tim me shumë përkushtim”, shkruan në mesazhin e kryetarit Ademi. “Miqësia jonë ishte e veçantë deri në ditën e fundit të jetës së tij.

Me Meksën kemi ndarë e përjetuar shumë gjëra, prandaj ikja e tij në botën e përjetshme është një humbje e madhe jo vetëm për familjen e futbollin, por edhe për mua personalisht. Meksa e dha kontributin e tij për futbollin në kohët më të vështira. Ai çdo herë punoi me seriozitet, profesionalizëm e zemërgjerësi dhe asnjëherë nuk u dorëzua. Falë punës së tij dolën shumë talente, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në futbollin e Kosovës”.