Ahmet Hysenaj – Petrova, kontribuues i madh i hendbollit kosovar ka vdekur, ka njoftuar të premten Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK).
I ndjeri Petrova për rreth gjysmë shekulli ka dhënë kontribut të çmuar për hendbollin ferizajas dhe atë kosovar në përgjithësi.
Ai ishte anëtar i kryesisë së Borcit të Ferizajt në ditët e lavdishme të këtij klubi kurse në vitin 1988 ishte edhe kryetar. Ishte kryetari i parë pasi klubi e ndryshoi emrin në Kastrioti pas pavarësimit të sportit kosovar.
I ndjeri ishte në krye të klubit ferizajas edhe pas lufte ndërsa ka drejtuar dhe financuar edhe klubin e femrave – Kastrioti.
Nën drejtimin e tij, skuadrat nga Ferizaj fituan shumë trofe. Pas vdekjes së tij, presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini në emër të kësaj federate dhe hendbollit kosovar e ka ngushëlluar familjen Petrova.
Edhe
Vdiq Izet Gjinovci, personalitet shumë i rëndësishëm i hendbollit kosovar
FHK-ja, javën e shkuar e nderoi Petrovën me Mirënjohje për Vepër Jetësore.
“Kontributi i Ahmet Petrovës për hendbollin kosovar është i çmuar. Ai do të kujtohet gjithnjë si kontribuues i madh në periudha të ndryshme. Vlera e Petrovës për hendbollin tonë është me shumë peshë. Unë kam humbur një mik, ndërsa familja e hendbollit një anëtar të rëndësishëm”, ka shkruar kreu i FHK-së, Saraçini.