Sport

Vdiq futbollisti 15-vjeçar i 2 Korrikut

Shkolla e futbollit 2 Korriku ka dërguar telegram ngushëllimi për familjen Syla që të mërkurën humbi më të dashurin, Leon Syla.

Leoni vdiq në moshën 15-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë, ndërsa ishte pjesë e shkollës së futbollit 2 Korriku në Prishtinë.

“Leoni ishte luftarak në fushën e futbollit e po ashtu edhe jashtë saj, sepse luftoi fortë me sëmundjen e rëndë që e kishte, por si një djalë trim e i patrembur me luftën e mosdorëzimin e tij, ka treguar se sa shumë e donte jetën e futbollin. Leoni vet si djalë i fortë që ishte, do të mbetet shembull i vërtetë për çdo shok e shoqe të rrethit të tij dhe jo vetëm. Leonin do ta kujtojmë me mall tërë jetën. Këto momente janë jashtëzakonisht të rënda. Të gjithë jemi me lot në sy e dhimbje në zemër, por bashkë me ju do të jemi përherë e nderuara familje e të ndjerit, të cilin do ta kujtojmë përherë me të gjitha ato kujtime të bukura e shpresëdhënëse që i ka lënë pas vetes. Me zemër të thyer, edhe një herë të nderuar familjarë e të afërm të Leonit, na lejoni që t’i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta e për të ndjerin të iu themi, dheu i Kosovës qoftë i lehtë për të”, shkruhet në telegramin e ngushëllimit të 2 Korrikut.