Kampioni në fuqi i Kosovës në futboll, Ballkani nuk ka arritur ta ruajë epërsinë prej 2:0 në ndeshjen ndaj Malishevës. Ballkani ishte duke fituar deri në minutën e 86-të me shifrat 2:0, por në fund u desh të pajtohej me një pikë të fituar në shtëpi. Kjo ndeshje u zhvillua të shtunën dhe i takoi javës së 28-të të Superligës së Kosovës në futboll. Me këtë barazim, Ballkani mbetet në vendin e dytë me 55 pikë, sa ka edhe liderja Drita. Malisheva i ka 30 pikë.
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka thënë se Malisheva luftoi fort për të mos u mposhtur në Suharekë.
“Gabimet janë në futboll, por dy gabimet në fund ishin të evitueshme nga ana jonë. Gabimet e rikthejnë ekipin në lojë, ashtu kemi bërë ne. Malisheva luftoi fort dhe nuk i mohohet assesi angazhimi për të dalë të pamposhtur në këtë takim. Ishin të tepërta dy gabimet në fund. Unë tash po e marr vesh që Drita ka barazuar, por në radhë të parë ne duhet të shohim punën tonë dhe t’i fitojmë ndeshjet tona”, ka thënë Daja.
Ballkani në minutën e 11-të rrezikoi portën e Malishevës nëpërmjet Albion Rrahmanit. Gjuajtja e tij u ndal nga portier i ekipit mysafir, Flamur Gashi. Donart Vitija në minutën e 42-të nuk arriti ta mposhtë Stivi Frashërin e Ballkanit.
Golin e epërsisë, Ballkani e shënoi në minutën e 61-të, nëpërmjet Van Dave Harmon. Ai shënoi me kokë pas harkimit të Meriton Korenicës. Korenica shërbeu edhe Rrahmanin, por sulmuesi nuk shënoi në minutën e 66-të. Edhe gjuajtja e Albin Berishës në minutën e 75-të u ndal nga portieri Gashi.
Për 2:0 u përkujdes kapiteni Edvin Kuç. Ai shënoi në minutën e 86-të pas asistimit të Albion Rrahmanit. Por, Malisheva iu kundërpërgjigj me dy gola të shpejtë në fund të ndeshjes. Fillimisht në 2:1 e ngushtoi epërsinë në minutën e 88-të nëpërmjet Ronald Sobowale, kurse në minutën e 94-t u barazuan shifrat në 2:2. Barazimin Malishevës ia siguroi Agron Bruqi. Ai shënoi me kokë pas harkimit të Behar Maliqit.
Trajneri i Malishevës, Bylbyl Sokoli, është i kënaqur me pikën e fituar në fund të takimit ndaj Ballkanit në Suharekë.
“Më shumë se pika e fituar, jam i kënaqur me angazhimin, por jo edhe me golat që i pësojmë. Djemtë dhanë maksimumin dhe kjo më kënaq mua. I shfrytëzuam dy raste dhe fituam një pikë të madhe, të rëndësishme në garën për mbijetesë. Në përgjithësi angazhimi ishte maksimal dhe kjo ndeshje me kundërshtar të fortë na shërben për të parë gabimet. Na mbetet punë e madhe dhe të shohim se si do t’ia dalim”, ka thënë Sokoli.
Në javën e 29-të, Malisheva e pret Gjilanin, kurse Ballkani luan në udhëtim nda Drenicës.
Ndërkohë, Drita nuk ia ka dalë të fitojë më shumë se një pikë në shtëpi përballë Trepçës ’89. Kjo ndeshje në Gjilan përfundoi baras, 1:1. Drita është lidere me 56 pikë, kurse 89-shi në vendin e tetë me 30 pikë.
Trajneri i Dritës, Arsim Thaqi, është mërzitur me barazimin ndaj Trepçës ’89 në shtëpi.
“Luajtëm përballë një mbrojtje të ngjeshur, por mendoj se pikët është dashur t’i fitonim në pjesën e parë. Nuk ishim të kënaqur me barazimin dhe sigurisht se kur sulmon lë edhe zbrazëtira. 89-shi na vuri në vështirësi. Kemi mundur edhe ta humbim ndeshjen, por ne gjithnjë luftojmë për të fituar ndeshjen dhe kjo ndoshta ndikoi të rrezikoheshim edhe nga 89-shi”, ka thënë Thaqi.
89-shi që në minutën e 4-t rrezikoi portën e Dritës. Egzon Fazliu nuk shënoi në rastin që e pati.
Por, ishte Drita më pas ajo që kaloi në epërsi. Besnik Krasniqi shënoi për Dritën nga penalltia në minutën e 12-të. Dy minuta më herët penalltinë e siguroi Kastriot Selmani që u pengua në zonë nga Gentrit Dumani. Rast për shënim krijoi edhe Blend Baftiu. Por, gjuajtja e tij nuk ishte e saktë.
Ndërkohë, 89-shi barazoi rezultatin ndaj Dritës nëpërmjet Egzon Baftiut. Ai shënoi në minutën e 24-t. Baftiu pranoi një top të gjatë dhe me gjuajtje të saktë nga afërsia mposhti portierin e Dritës, Faton Malokun.
Pas barazimit, Drita tentoi të shënonte, por gjuajtjet e lojtarëve të ekipit vendas ose priteshin nga portieri Donat Kaçiu në formë i ekipit nga Mitrovica, ose përfundonin jashtë portës.
Futbollisti i Trepçës ’89, Ardian Muja ka qëlluar traversën në ndeshjen ndaj Dritës. Ai gjuajti në minutën e 69-të, por topi përfundoi në traversë. Në anën tjetër, Blend Baftiu nuk shënoi për Dritën. Muja gjuajti mbi portë edhe në minutën e 82-të. Ishte edhe ky rasti më i mirë në këtë ndeshje të luajtur në fushën me bar sintetik në Gjilan.
Trajneri i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi, ka thënë se ekipi tij ka humbur pikë e plota të shtunën ndaj Dritës.
“Nëse u referohemi rasteve ishin pikë të humbura nga ana jonë. Shpërdoruam 3-4 raste të mira shënimi. E dinim që kur Drita sulmon lë zbrazëtira, por nuk ia dolëm t’i konkretizojmë rastet tona”, ka thënë Idrizi.
Drita ndeshjen e ardhshme e luan në udhëtim ndaj Dukagjinit, kurse Trepça ’89 e pret Llapin.
Superliga – Java 28
E shtunë
Ballkani – Malisheva 2:2
Drita – Trepça ’89 1:1
E diel
Ferizaj – Gjilani
Llapi – Drenica
Prishtina – Dukagjini
