Barcelona sërish luajti lojë të madhe, udhëhoqi me golat e Lionel Messit e Antoine Griezmannit, por prapë lëshoi fitoren nga dora.
Barcelona çoi dëm një nga performancat më të mira të stinorit duke pranuar dy gola të vonshëm nga Atletico Madridi, ndërsa pësoi 3:2 në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës, të enjten mbrëma në Arabinë Saudite.
Messi ka barazuar rezultatin pasi Koke dërgoi fillimisht Atleticon në epërsi në nismë të pjesës së dytë. Më pas Griezmann dërgoi Barcelonën në epërsi. 2:1. Por portieri Jan Oblak, ylli i Atleticos këtë stinor, bëri disa pritje të mëdha, ndërsa Alvaro Morata barazoi rezultatin nga penalltia në minutën e 82-të dhe Angel Correa shënoi në minutën e 86-të për të kompletuar rikthimin dramatik, shkruan sot Koha Ditore.
Për Barcelonën, mundësia për të shtuar një trofe të vogël nga një mini-turne i luajtur me mijëra kilometra larg nga shtëpia nuk është shqetësimi kryesor. Shqetësimi është shprehia që po krijohet për të humbur kontrollin e ndeshjeve kur duket se fitorja është e sigurt. Nëse janë në pyetje besimi i tepërt, mungesa e përgatitjes fizike apo lëshimet e momentit, përgjegjësia është e kryetrajnerit Ernesto Valverde.
Messi dhe bashkëlojtarët i kanë dalë në mbrojtje Valverdes. Ai ka bilanc përgjithësisht të mirë te Barcelona, por i është njollosur nga humbjet shokuese.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)