Valon Berisha mund të mungojë edhe në duelin e fundit të Lazios për vitin 2018, kundër Torinos më 29 dhjetor, që është xhiroja e 19 e futbollit italian, transmeton KTV.
Në Itali, të enjten, kanë shkruar se Berisha është duke u përballur me tjetër problem muskulor.
Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës nuk ka qenë pjesë e Lazios në katër duelet e fundit dhe me lëndime u përball edhe në fillim të edicionit, që kur u transferua në verë nga RedBull Salzburgu i Austrisë.
“Valon Berisha nuk ka gjetur qetësi këtë vit. Ish-futbollisti i Salzburgut po përballet vazhdimisht me probleme muskulore. Kthimi i tij mendohet të jetë muaji janar”, ka shkruar faqja “Cittaceleste.it”.
25-vjeçari është paraqitur në vetëm pesë ndeshje në elitën e futbollit italian këtë sezon. Minuta pati edhe në pesë ndeshje në Ligën e Evropës.