Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vajza e Milaim Ramës, e gatshme për debutimin zyrtar te Kosova

Alketa Rama

Milaim Rama është pionier sa u takon futbollistëve shqiptarë në Zvicër. Ai ka hapur dyert e Përfaqësueses së Zvicrës për lojtarët shqiptarë. Tani vajza e Milaim Ramës po hap i dyert e përfaqësueses. Asaj të Kosovës.

Alketa Rama ka luajtur ndeshjet e para me Përfaqësuesen A të Kosovës, ndonëse është vetëm 18-vjeçare. Në fund të qershorit u aktivizua në dy miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut. Në të parën madje ishte startuese.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Tani sulmuesja e Zuerichut është ftuar për herë të parë nga Kosova A për ndeshje zyrtare kualifikuese. Alketa Rama dhe lojtaret e tjera të Kosovës të martën e kanë zhvilluar stërvitjen e parë në prag të ndeshjeve me Armeninë dhe Poloninë. Kosova luan me Armeninë të enjten në “Fadil Vokrri”, ndërsa me Poloninë luan në udhëtim më 6 shtator. Janë këto ndeshjet e fundit të Kosovës në eliminatoret për Botërorin e vitit të ardhshëm. Pas tetë ndeshjeve, Kosova është e parafundit me katër pikë. Shqipëria është në vendin e katërt me dhjetë pikë, ndërsa Armenia është e gjashta (e fundit) pa pikë. Norvegjia udhëheq në grup me 22 pikë, e përcjellë nga Belgjika me 19 dhe Polonia me 14.

Kosova, sipas të gjitha gjasave, do të përfundojë në vendin e parafundit dhe selektorja Anneli Anderson me shumë mundësi ndaj Armenisë do t’ua japë rastin lojtareve të reja. Njëra prej atyre që e pret rastin është Alketa Rama.

“Po ndihem shumë mirë që jam ftuar për ndeshje zyrtare. Jam e gatshme për të nisur me ndeshje kualifikuese për Kosovën. Vajzat më kanë pritur shumë mirë. Isha e grumbulluar edhe për miqësoret me Maqedoninë e Veriut, ndërsa tani kemi nisur me ushtrime për ndeshjet e fundit të këtij cikli eliminator”, ka theksuar Alketa Rama.

Ajo luan për Zuerichun U21 në kategorinë e dytë zvicerane. Thotë se po zhvillohet mirë si lojtare dhe se e pret rastin tek ekipi i parë i Zuerichut. Alketa ka luajtur për U17 e U19 të Kosovës, ndërsa tani është te Përfaqësuesja A.

“Jam e gatshme për ndeshjet që na presin. Shpresoj që të luaj nga fillimi ndaj Armenisë. Por edhe nëse nuk luaj nga fillimi, unë jam e gatshme për ta dhënë më të mirën. Ndaj Maqedonisë kam luajtur dhe i kam treguar trajneres se çka di e çka mundem. Mendoj se jam paraqitur mirë dhe si rezultat i kësaj ka ardhur ftesa për ndeshjet zyrtare”, ka theksuar Alketa Rama. “Sa i takon Zuerichut, jam duke luajtur për ekipin U21 në ligën e dytë. Po luaj rregullisht dhe po e pres rastin edhe në ekipin e parë. Situata ime në klub është e mirë, por të shohim si do të shkojnë gjërat”, ka shtuar Alketa.

Milaim Rama është i pari prej futbollistëve shqiptarë që ka luajtur për Zvicrën. Madje ishte edhe në Evropianin e vitit 2004, ku debutoi. Rama ka bërë histori sidomos te Thuni, sa i takon nivelit të klubeve. Ai është shquar si sulmues, ndërsa është respektuar dhe respektohet nga të gjithë.

Në sulm shkëlqimin e kërkon edhe Alketa. Ajo ka bërë hapa të mëdhenj para në karrierë deri më tani, ndërsa grumbullimi për dy ndeshjet e shtatorit është hap tjetër. Paraqitja në fushë dhe shënimi eventual i ndonjë goli do të ishte edhe një hap tjetër për Alketën.

“Këto janë ndeshjet e fundit të këtij cikli. Shpresoj që të stabilizohem në përfaqësuese për ciklin e ardhshëm eliminator”, ka theksuar Alketa Rama.