Pesë futbollistë shqiptarë ishin te Përfaqësuesja e Zvicrës, që në vitin 2012 e pati mposhtur me rezultatin 2:0 Shqipërinë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2014. Golin e parë e pati shënuar Xherdan Shaqiri, ndërsa te Zvicra luajtën edhe Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemaili e Admir Mehmedi. Tre të fundit, tashmë janë tërhequr nga futbolli ndërkombëtar. Atëbotë, në portën e Shqipërisë ishte Samir Ujkani. Numri i futbollistëve shqiptarë tash është më i vogël te Zvicra, por ndikimi është i madh në fushë nga Shaqiri dhe Xhaka. Ky i fundit është kapiten i “helvetikëve”. E kapiteni i “Dardanëve”, Ujkani, ka pak gjasa që të jetë në portë te Kosova, që luan miqësore ndaj Zvicrës më datën 29 mars. Portier i parë i Kosovës është Arijanet Muriq, që po kalon formë të mirë tek Adana Demirspori i Turqisë. Por Ujkani pret që në Zuerich, ku edhe do të luhet ndeshja miqësore, në tribunat e stadiumit “Letzigrund” të ketë më shumë shqiptarë që do të jenë në përkrahje të Kosovës. Ujkani, në fakt është lojtari i vetëm që përballë Zvicrës do të jetë edhe me fanellën e Kosovës krahas asaj me të Shqipërisë. Për Kosovën nga viti 2014 ka luajtur 28 ndeshje, kurse për Shqipërinë i ka 20 paraqitje.
“Dëshira është që të luaj gjithmonë. Por te kombëtarja, dëshirat personale nuk vijnë në radhë të parë, por Kosova”, ka thënë Ujkani të mërkurën për KOHËN.
Portieri 33-vjeçar i Empolit ishte i përfshirë në ekip edhe për ndeshjen kthyese të zhvilluar në tetor të vitit 2013 kundër Zvicrës në Tiranë, të cilën zviceranët e fituan 2:1. Sërish golashënues ishte Shaqiri. Por Ujkani pret që me Kosovën ta shijojë fitoren këtë herë. Thotë se do të jetë “e treta, e vërteta”.
“Për mua do të jetë hera e tretë që luaj kundër Zvicrës. Dy herë kam qenë sa isha portier i Shqipërisë. Ka qenë festë edhe pse kanë qenë ndeshje kualifikuese. Atmosfera gjithmonë ka qenë në nivelin më të lartë, ndërsa shpresoj t’i fitojmë kësaj radhe”, është shprehur Ujkani.
Ujkani pret të ketë më shumë shqiptarë në tribunat e stadiumit të Zuerichut. Në Federatën e Futbollit të Zvicrës nuk kanë përjashtuar mundësinë që Kosova të ketë përkrahje të madhe në stadiumin “Letzigrund” të martën e 29 marsit. Në këtë stadium, Kosova tashmë ka luajtur. Më 29 maj të vitit 2018 ishte përballur në miqësore me Shqipërinë dhe Ujkani ishte në portë te Kosova. Kosova kishte fituar me rezultatin 3:0, ndërsa në tribunat e stadiumit ishin të pranishëm hiq më pak se 18 mijë e 700 shikues, shumica e konsiderueshme shqiptarë.
“Besoj se do të ketë më shumë shqiptar në tribuna në përkrahje të Kosovës. Por në fushë është një test i madh. Zvicra është një top-ekip”, ka thënë Ujkani.
Ai thotë se shqiptarët në Zvicër janë bërë të rëndësishëm në këtë vend. Në fakt, shqiptarët janë shumë të integruar në sistemin zviceran të futbollit. Shumica prej familjeve shqiptare i dërgojnë fëmijët në shkolla futbolli dhe numri i atyre që dalin në pah nuk është i vogël. Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, dy lojtarët kryesorë të Zvicrës, janë shembulli më i mirë.