UEFA ka konfirmuar rregullat përfundimtare për Ligën e Kombeve, një vit para nisjes së garës së re.
Ndeshjet e para do të luhen më 6 shtator të vitit 2018.
Liga e Kombeve është garë e re që mundëson të luajnë shtete me ekipe kundërshtare të nivelit të njëjtë në ranglistë.
Në të marrin pjesë 55 federata.
Ekipet ndahen në katër liga, A-B-C-D, sipas ranglistës së tyre në UEFA, në fund të kualifikimeve për Botërorin Rusia 2018.
Liga A do të ketë top-12 ekipet. 12 ekipet e tjera do të jenë pjesë e Ligës B, 15 të radhës në Ligën C dhe 16 të fundit në Ligën D.
Liga A dhe B do të kenë nga katër grupe me tri ekipe. Liga C do të ketë një grup me tri ekipe dhe tri grupe me nga katër, e Liga D do të ketë katër grupe me nga katër ekipe.
Gjithçka do të bëhet përmes shortit. Ndeshjet do të luhen brenda dhe jashtë në mes të shtatorit dhe nëntorit të vitit 2018. Ekipet do të luajnë katër deri në gjashtë lojë varësisht prej madhësisë së grupit të tyre.
Katër fituesit e grupeve në Ligën A do të kualifikohen për fazën finale të Ligës së Kombeve, që do të mbahet në qershor të 2019-s, me dy gjysmë-finale, një ndeshje për vend të tretë dhe finale. Vendi nikoqir do të zgjedhet nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në dhjetor të vitit të ardhshëm.
Fituesit e grupeve në Ligat B, C dhe D do të promovohen dhe do të zëvendësojnë ekipet që bien nga grupet e ligave më lartë.