Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Udhëtimi i gjatë i Erzës në kërkim të normës olimpike

Kosova tashmë po merr pjesë në të gjitha ngjarjet ndërkombëtare të sportit, ndërsa në tetor pritet të paraqitet për herë të parë edhe në Lojërat Olimpike Verore për të rinj.

Është xhudistja pejane Erza Muminoviq që pritet ta ketë fatin të përfaqësojë Kosovën në edicionin e tretë të Lojërave Olimpike Verore për të rinj, që mbahen në Buenos Aires të Argjentinës prej 6 deri më 18 tetor. Në fakt mund të ketë edhe ndonjë sportist tjetër që do të paraqitet me ftesë të organizatorit, por Erza është e vetmja që synon të marrë pjesë me normë të fituar, shkruan sot Koha Ditore.

Për të siguruar udhëtimin e gjatë për në Buenos Aires, 16-vjeçarja po detyrohet të bëjë udhëtime të gjata për të marrë pjesë në gara që mbahen në anë të ndryshme të botës, për të mbledhur pikët e nevojshme. Sigurimi i normës është sfidë e madhe, pasi vetëm pesë më të ranguarat në kategori kualifikohen. Aktualisht Erza e ndan vendin e gjashtë me një turke dhe një italiane.

"Është e vetmja sportiste prej Kosovës që mund të kualifikohet për Lojërat Olimpike për të rinj. Por fakti se kualifikohen vetëm pesë më të mirët në kategori, e bënë të vështirë kualifikimin. Gara kualifikuese ka mjaft, por rrugëtimi është i vështirë. Nëse në garën që e ka nesër bëhet e para dhe nëse në Evropian hynë në pesë më të mirat, atëherë i afrohet shumë kualifikimit", ka thënë të premten trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)