Sport

Udhëtimi historik i Kosovës në Maqedoni

Një videoincizim 25-minutësh i bërë në prill të vitit 1992 tregon për një pjesë të lavdishme të historisë së futbollit kosovar. Pamjet janë amatore, por vlera e tyre është e madhe. E jashtëzakonshme madje.

Gati tri dekada më parë, Përfaqësuesja e Kosovës në futboll mblodhi grupin e lojtarëve në rrethana të jashtëzakonshme. I veçantë ishte edhe udhëtimi i parë i përfaqësueses drejt vendit fqinj, Maqedonisë. Ishte aktiviteti i parë i përfaqësueses pas pavarësimit të futbollit kosovar.

Ishte 2 prilli i vitit 1992 kur futbollistë të klubeve të ndryshme të Kosovës morën rrugën drejt Maqedonisë, në të cilin vend “dardanët” të enjten do ta luajnë ndeshjen e plejofit për kualifikim në “Euro 2020”.

Ekipit të atëhershëm të Përfaqësues të Kosovës, me plot yje të kohës, i priu si përzgjedhës Ajet Shosholli. Kosova zhvilloi dy ndeshje miqësore në Tetovë, të parën më 3 prill kundër Besës së Kamenjanit dhe të dytën më 5 prill kundër Shkëndijës së Tetovës.

Kosova i fitoi dy ndeshjet historike. Me Besën, që ishte lojë stërvitore, fitoi 4:1. Ndërsa ndeshjen ndaj Shkëndijës e fitoi 4:0. Ndeshja ndaj Shkëndijës, që vlerësohet e para për Kosovën, u zhvillua në atmosferë impozante para rreth 7000 shikuesve. Rezultati kishte pak rëndësi.

Kosova ekipin e parë përfaqësues e formoi tetë muaj pas pavarësimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, më 20 gusht të vitit 1991.

Për periudhën e mëvetësimit është folur shumë, por jo edhe aq për udhëtimin historik të Kosovës në Maqedoni. Atë në detaje e rrëfen përzgjedhësi i parë i Kosovës, Ajet Shosholli.

“Më 20 gusht të vitit 1991 u formua Federata e Futbollit e Kosovës, federata e parë në krye me kryetarin Agim Bytyqi dhe dy nënkryetarët Gafurr Kabashi dhe Hamdi Tovërlani, sekretarin Sejdi Mërkoja dhe anëtarët e bordit. Më 20 gusht më propozuan, më thanë që do të jetë vështirë, por duhet ta pranosh postin e selektorit. Unë më 15 gusht kisha dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit te Prishtina. Iu rrekëm punës që liga me 20 klube ta kishte kuptimin e plotë, zgjodhëm edhe organet e tjera. Me Shkëndijën u pajtuam që në prill ta organizojmë ndeshjen e parë. Ka qenë kohë e vështirë, jo vetëm për sportin, por për të gjitha lëmitë. Gjetëm mënyrën dhe kurajën për të organizuar atë ndeshje”, ka nisur rrëfimin Shosholli.

{gallery}