Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Trepçës i anulohen ndeshjet me skuadrën izraelite

KB Trepca

Skuadra e basketbollit Trepça përfundimisht nuk do të luaj me skuadrën izraelite, Hapoel Galil Elion në fazën grupore të FIBA Europe Cup. Skuadrat izraelite janë tërhequr nga FIBA Europe Cup. FIBA i ka larguar nga faqja zyrtare e FIBA Europe Cup dhe ka fshirë ndeshjet e planifikuara të skuadrave izraelite.

Për shkak të situatës në Lindjen e Mesme, FIBA kishte vendosur që ndeshjet e skuadrave izraelite të zhvillohen në Qipro. Por skuadrat izraelite nuk ishin pajtuar me të gjitha kushtet e FIBA-s dhe vendosën të tërhiqen. Kjo tashmë është zyrtare.

Në Grupin G tashmë janë vetëm Trepça, Leideni i Holandës dhe Gravelines i Francës. Edhe disa grupe të tjera kanë mbetur me nga tri ekipe.

Trepça ka humbur 84:54 në shtëpi nga Leideni. Nga Gravelines humbi javën e kaluar në Francë me rezultat 83:49.

Më 15 nëntor Trepça luan në udhëtim ndaj Leidenit, ndërsa më 22 nëntor e pret skuadrën franceze në “Minatori”. Avancimi tutje tashmë është i pamundur për skuadrën mitrovicase.