Trepça ka pësuar ndryshime të mëdha në prag të edicionit të ri në Superligën e Kosovës në basketboll. Klubi nga Mitrovica ka emëruar kryetar Vullnet Sefanë, përderisa bordin e përbëjnë edhe Lindrit Misini, Albert Shala dhe Edin Verbiqi.
Trepça, që në edicionet e fundit kishte probleme të shumta organizative dhe financiare, synon që në sezonin e ri të krijojë stabilitet dhe të jetë kandidate kryesore për trofe. Por, klubi nga Mitrovica, duhet fillimisht të sigurojë mbetjen në elitën e basketbollit kosovar. Kampioni i trefishtë kosovar mbijetesën në Superligë do ta kërkojë në ndeshjen e plejautit ndaj AS Prishtinës, më14 tetor.
“Minatorët” nën udhëheqjen e trajnerit kroat, Neven Plantak, kanë nisur stërvitjet për një nga ndeshjet më të rëndësishme. Mitrovicasit për herë të parë në histori të klubit gjenden në një pozitë ku do të luajnë ndeshje plejauti për t’i shpëtuar rënies nga elita e basketbollit kosovar.
Kryetari i klubit, Vullnet Sefaja, beson që skuadra është e gatshme për takimin që siguron mbijetesën në sezonin e ri.
“Është e vërtetë që për herë të parë luajmë në plejaut dhe mendoj që në njërën anë edhe na ndihmon që ta kuptojmë realitetin dhe të mundohemi të gjithë së bashku ta rregullojmë edhe situatën në të cilën jemi. Mendoj se jemi të përgatitur për këtë sfidë dhe jemi të gatshëm për këtë përballje”, theksoi Sefaja të dielën.