Te Trepça janë të vendosur të reagojnë fuqishëm pas humbjes nga Peja vikendin e shkuar, në derbin e xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në basketboll. Për të dëshmuar se disfata ishte momentale, Trepça dëshiron t’i gëzojë tifozët me fitore ndaj Sigal Prishtinës. Këtë fitore te Trepça duan ta arrijnë në palestrën “Minatori” që pritet të jetë e stërmbushur si në çdo ndeshje të këtij edicioni.
Dueli mes Trepçës dhe Prishtinës zhvillohet të mërkurën prej orës 19:00 dhe i takon xhiros së katërt. Kjo ndeshje u shty për shkak të angazhimeve të dy ekipeve në rundet kualifikuese të FIBA Europe Cup.
Pas katër ndeshjeve të luajtura deri më tani në Superligë të dy ekipet kanë bilanc të njëjtë. Kanë regjistruar nga tri fitore dhe nga një humbje, ndërsa renditen në pozitat tre dhe katër në tabelë. Prishtina është e treta për shkak të koshdallimit më të mirë.
Basketbollisti i Trepçës, Drilon Hajrizi, ka thënë të martën për KOHËN se skuadra është përgatitur maksimalisht për ndeshjen me Prishtinën, duke shtuar se synimi i “xehetarëve” është që të reflektojnë pas humbjes në udhëtim te Peja. Hajrizi shtoi se janë të motivuar maksimalisht për fitore, pasi do ta kenë edhe përkrahjen e fuqishme të tifozëve.
“Luajmë para tifozëve tanë dhe jemi maksimalisht të motivuar për ta fituar këtë ndeshje. I kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe analizat e fundit të kundërshtarit, ku i dimë pikat e dobëta dhe të forta të tij. Synimi është ta sulmojmë në pikat e dobëta për ta mposhtur, në mënyrë që të kthehemi menjëherë te fitorja pas humbjes nga Peja. Duam të reflektojmë dhe të dëshmojmë se ajo humbje ishte e momentit, e cila erdhi për shkak të lodhjes nga orari i ngarkuar”, është shprehur Hajrizi. “Do të jetë një derbi i vërtetë dhe prej fillimit të ndeshjes do ta kërkojmë fitoren që është shumë e rëndësishme për ne. Sigurisht edhe Prishtina ka ekip të mirë, por ne kemi synimet tona dhe me përkrahjen e madhe të publikut jam i bindur se do t’ia arrijmë qëllimit”.
Edhe te Prishtina kanë insistuar se në Mitrovicë udhëtojnë për fitore, sidomos pas triumfit në ndeshjen e fundit ndaj Bashkimit në kryeqytet. Te Prishtina përballjen me Trepçën e vlerësojnë “klasike” të basketbollit kosovar. Motivi është i madh brenda ekipit të kaltër. Megjithatë, te Prishtina kanë pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë për shkak se Trepça si vendase në elitën e basketbollit kosovar nuk di për humbje.
“Sigurisht që është një derbi i vërtetë ndaj Trepçës dhe nuk do të jetë aspak lehtë për ne. Përkundër vështirësive që i kemi pasur të përgatitemi për shkak se palestrën e kishim të zënë, mund të them se jemi gati për këtë përballje”, ka thënë ndihmëstrajneri i Prishtinës, Andin Rashica. “Sikurse në çdo ndeshje edhe në këtë ndaj Trepçës që është ‘El Clasico’ kosovare, do të futemi për fitore. Trepça ka një ekip të mirë, por edhe ne kemi treguar paraqitje të mira dhe kemi synime këtë edicion. Pres të jetë një lojë e fortë ku sigurisht se atmosfera në palestër do të jetë e zjarrtë sikurse çdoherë”.
Si Trepça ashtu edhe Prishtina nuk arritën të kualifikohen për pjesëmarrje në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup. Të dyja u eliminuan në ndeshjet e para. Trepça u eliminua në çerekfinale të turneut kualifikues të zhvilluar në Mitrovicë nga Goettingeni i Gjermanisë. Ndërsa Prishtina, që shkoi në gjysmëfinale pa lojë, pësoi thellë nga Kalev/Kramo i Estonisë në duelin e luajtur në Lituani.