Sport

Trepça ’89 nuk ka marr dëmshpërblim për Avdylin, por posedon 50 për qind të kartonit të lojtarit

Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka, ka deklaruar për KOHËN se është shumë i kënaqur që futbollisti Milot Avdyli karrierën do ta vazhdojë tek Aarau, me të cilin klub ka nënshkruar kontratë për dy vjet e gjysmë.

Zeka ka deklaruar se nuk kanë marr dëmshpërblim, por do ta kenë 50 për qind të kartonit të 18-vjeçarit. “Ne nuk kemi dashur ta pengojmë Milotin, i cili është një djalë shumë i mirë dhe talent i madh. Nuk kemi marr dëmshpërblim nga kalimi i Avdylit tek Aarau, por unë do ta kem 50 për qind të kartonit të lojtarit. Kjo është marrëveshja që kemi bërë”, tha Zeka.

Sipas tij, Avdyli do të ketë kushte të mira te klubi zviceran. Zeka paralajmëron se ky është vetëm fillimi. “Avdylit i është siguruar banimi, klubi ia ka dhënë një banesë dhe pritet t’ia jap edhe një veturë. Për pagën e tij nuk do të flas, pasi nuk na intereson neve paga e lojtarit, ajo është çështje vetëm e lojtarit. Si president i klubit jam shumë i kënaqur që edhe një talent nga klubi që unë drejtoj do të luajë në futbollin evropian. Ky është vetëm fillimi, do të ketë edhe disa talent të tjerë që nga Trepça ’89 do ta kalojnë në Evropë”, përfundoi Zeka. Nga Trepça ’89 në futbollin evropian kanë kaluar, Florent Hasani (Diosgyori – Hungari), Rron Broja (Gent-Belgjikë) dhe Arb Manaj (Keçiorengucu-Turqi).