Sport

Toulouse, ekipi që po ka sukses në fushë duke u bazuar në librin “Moneyball”

Duke funksionuar me një buxhet të vogël dhe pa lojtarë yje, skuadra e Toulouset ka gjetur një mënyrë për të mbijetuar në ligën franceze. Gjithçka filloi në muajin korrik të vitit 2020 kur firma amerikane e investimeve “RedBird Capital Partners” fitoi shumicën e aksioneve në Toulouse dhe emëroi Damien Comollin si president.

“Ne punojmë me kompani që na ofrojnë të dhëna”, tha Comolli të enjten “dhe pastaj i kemi statisticienët, softuerin tonë, algoritmet tona, të cilat na ndihmojnë në të gjitha vendimet që marrim në menaxhimin e klubit. ”

Përmbledhja dhe interpretimi i të dhënave e kanë ndihmuar Toulousen të gjejë vlerë në një treg të vështirë. Toulouse ka një buxhet prej 40 milionë eurosh për këtë sezon krahasuar me 700 milionë eurot e liderit të ligës franceze, Paris Saint-Germainit, dhe 250 milionë eurot e Marseillet. Vetëm skuadrat si Auxerre, Clermont dhe Ajaccio kanë një buxhet më të vogël se Toulouse në Ligue 1.

I promovuar vitin e kaluar në elitë, Toulouse shfrytëzon të dhënat jo vetëm për të rekrutuar lojtarë, por për të përmirësuar performancën, për të kufizuar dëmtimet dhe për të analizuar kundërshtarët, si dhe për të marrë vendime në lidhje me çështje financiare, si buxheti i transferimeve, lista e pagave dhe zgjatjet e kontratave. Kjo qasje që ndryshe njihet si “Moneyball” ka kontribuuar në sezonin e mirë të Toulouset. Klubi është në vendin e 12-të, me 11 pikë mbi zonën e rënies në një kategori më poshtë. Në të kundërt, skuadrat e tjera të promovuara, Ajaccio dhe Auxerre, janë në zonën e rënies nga elita. Shkruar nga Michael Lewis, libri “Moneyball” eksploron suksesin e ekipit të bejsbollit të Oakland Athletics nën menaxherin e përgjithshëm, Billy Beane, duke treguar se si theksi mbi “sabermetrikën”, mbi metodat më tradicionale i ndihmoi ata të nënshkruanin lojtarë të nënvlerësuar dhe të dilnin nga konkurrentët më të pasur. Një ish-inxhinier aeronautik, kreu i të dhënave në Toulouse, Julien Demeaux, dhe stafi i tij analizojnë më shumë se 60 liga në mbarë botën.

Toulouse punësoi gjithashtu Brendan MacFarlanen si kreun e rekrutimit në mars të vitit 2021 për të vlerësuar më mirë gjërat si teknika dhe personaliteti që nuk merren nga të dhënat. MacFarlane ishte më parë skauti kryesor në Francë për klubin anglez Brentford. Toulouse është mbështetur në avantazhin e tij analitik për të ndërtuar një skuadër të zgjuar. Ai vuri bast me transferimin e lojtarëve nga ligat më të ulëta në Evropën Perëndimore, duke shpresuar se ata do të bënin hapin lart. Toulouse nënshkroi sulmuesin anglez, Rhys Healey, nga klubi i divizionit të tretë, Milton Keynes Dons, dhe lojtarin holandez, Branco Van den Boomen, nga klubi i kategorisë së dytë të Holandës, De Graafschap, në vitin 2020. Si Healey, ashtu edhe Van den Boomen u dëshmuan të rëndësishëm në promovimin e Toulouset, pasi anglezi ishte golashënuesi më i mirë në divizioni i dytë sezonin e kaluar, ndërsa holandezi kryesoi ligën me asistime. Healey ka luajtur vetëm tri ndeshje këtë sezon për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju. Nga ana tjetër, Van den Boomen ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm me pesë gola dhe shtatë asistime deri më tani. Thijs Dallinga dukej si një bast i sigurt kur Toulouse nënshkroi atë vitin e kaluar. Dallinga shënoi 36 gola në të gjitha garat për klubin e kategorisë së dytë Excelsior Rotterdam sezonin e kaluar. Sulmuesi holandez fillimisht luftoi për t'u përshtatur në një mjedis të ri, duke shënuar vetëm dy gola nga 13 ndeshjet e tij të para në ligë. Por Dallinga është përmirësuar kohët e fundit, duke shënuar pesë gola në tetë ndeshjet e tij të fundit në ligë.

Një bazë e madhe e të dhënave ka bërë që Toulouse të rrëmbejë lojtarë nga ligat e vogla dhe të anashkaluara në Evropën Lindore. Nënshkroi mesfushorin Stijn Spierings nga klubi bullgar Levski Sofia në 2020 dhe sulmuesin Said Hamulic nga klubi polak Stal Mielec muajin e kaluar. Toulouse preferon të nënshkruajë lojtarë përpara se të arrijnë kulmin, në mënyrë që tarifa e transferimit të jetë ende e përballueshme. Por gjithashtu mund të rekrutojë lojtarë më të vendosur për të sjellë një mentalitet fitues dhe për të gjetur një përzierje të mirë midis rinisë dhe përvojës. Qendërmbrojtësi danez, Rasmus Nicolaisen, mesfushori belg, Brecht Dejaegere, dhe mbrojtësi i majtë kilian, Gabriel Suazo, ndihmuan Midtjylland, Gent dhe Colo Colo, përkatësisht, të fitonin trofe përpara se të bashkoheshin me Toulousen. Zhvillimi i talenteve në sistemin e të rinjve është një mënyrë tjetër për Toulousen për të ulur kostot. Anthony Rouault, i cili është rritur në akademinë e klubit, ka qenë titullar në çdo ndeshje të ligës këtë sezon dhe tashmë është një nga qendërmbrojtësit më të mirë në Francë në moshën 21-vjeçare. Ndërkohë, mesfushori Fares Chaibi po kalon një sezon të rëndësishëm në moshën 20-vjeçare. Produkti i akademisë ka shënuar katër gola dhe ka po aq asistime në ligë. Toulouse ka akademinë e gjashtë më të mirë në Francë pas PSG-së, Lyonit, Rennesit, Monacos dhe Lensit, sipas Qendrës Ndërkombëtare për Studime Sportive, një organizatë kërkimore dhe arsimore. Toulouse është ende larg ditëve të lavdisë kur eliminoi Napolin e udhëhequr nga Diego Maradona në rundin e parë të Kupës UEFA në vitin 1986 dhe përfundoi i treti në ligën franceze një vit më vonë, rezultati i tij më i mirë ndonjëherë. Por rilindja e klubit ndihet si shpërblim për Comollin, reputacioni i të cilit u godit pasi Liverpooli e shkarkoi atë si drejtor futbolli në vitin 2012 për shkak të shumës së madhe të parave të shpenzuara për lojtarë të dështuar, si Andy Carroll, Stewart Downing, Charlie Adam dhe Sebastian Coates. Edhe nënshkrimet e suksesshme, si Luis Suarez dhe Jordan Henderson nuk mund ta ndihmonin Comollin të shpëtonte punën e tij. Toulouse mundi Reimsin 3:1 të mërkurën për të kaluar në çerekfinale të Kupës së Francës dhe do të presë Rennesin në ligë të dielën. Toulouse është një nga tri klubet në pronësi të amerikanëve në ligën franceze. John Textor bleu Lyonin dhjetorin e kaluar dhe miliarderi amerikan Frank McCourt ka qenë pronar i Marseillet që nga viti 2016.