Kharkiv, 6 mars - Katër muaj pasi ëndrra e amatorit 97-vjeçar, Leonid Stanislavskyi, u realizua kur ai luajti me fituesin e 21 Grand Slameve, spanjollin Rafael Nadal, tenisti ukrainas po e përjeton makthin e tij më të keq në Kharkiv ndërsa forcat ruse po vazhdojnë të bombardojnë qytetin e tij. Stanislavskyi, i cili mban rekordin botëror të Guinnessit si tenisti më i vjetër në botë, gjithashtu kishte ëndërr të luante me të madhin, zviceranin Roger Federer, por tani ai ka vetëm një dëshirë të thjeshtë - mbijetesën.
“Shpresoj të jetoj për të arritur moshën 100 vjeç. Më duhet t'i mbijetoj kësaj situate të frikshme”, tha ai për “Reuters”. “Lufta filloi më 24 shkurt. Nga data 24 e deri më tani praktikisht nuk kam dalë. Kam qëndruar në shtëpi... kam furnizime, frigoriferi është i mbushur, jam ulur në shtëpi dhe nuk po shkoj askund”.
Ai tha se i është kërkuar që të largohet drejt Polonisë, ofertë që tashmë e ka refuzuar kategorikisht.
“Vajza ime Tanya është në Poloni, ajo dëshiron të më marrë atje. Por unë vendosa të qëndroj këtu. Kam dëgjim të keq, kështu që fle natën dhe nuk dëgjoj asgjë. Mbrëmë kishte bomba, në mëngjes kishte sulme nga ajri dhe sirenat nuk ndalonin”.
Në të vërtetë, Stanislavskyi i mbijetoi Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë asaj kohe ishte një inxhinier që ndihmoi në ndërtimin e avionëve luftarakë sovjetikë për të luftuar nazistët. Ai tha se as në ëndrrën më të keqe nuk e ka paramenduar se Ukraina do të sulmohej nga Rusia.
“Kurrë nuk e kam menduar se do të më duhet të jetoj një luftë tjetër, më të frikshme, ku njerëzit nga të dyja anët po vdesin – nënat po humbasin fëmijët e tyre, gratë po humbasin djemtë dhe burrat e tyre”, shtoi ai. “Çfarë është kjo? Çfarë dobie ka? Në shekullin XXI nuk mund të ketë luftë. Lufta duhet të ndalet, duhet të arrihet një marrëveshje”.
Edhe
Ish-tenisti ukrainas paralajmëron ushtarët rusë
Për Stanislavskyin, një fund i konfliktit do të nënkuptonte gjithashtu mundësinë e tij për të rifilluar lojën e tenisit - dhe ndoshta për t'u paraqitur në Kampionatin Botëror të ardhshëm për të moshuarit, i cili mbahet muajin e ardhshëm në SHBA, saktësisht në Florida. Ai ishte 30 vjeç kur u njoh me këtë sport dhe stërvitej tri herë në javë. E ai është optimist se lufta së shpejti do të ndalet, pasi synon të nisë me stërvitjet për të qenë i përgatitur për turnetë që ka planifikuar të marrë pjesë.
“Tenisi është jeta ime, fati im. Unë kam luajtur tenis në një nivel serioz që në moshën 90-vjeçare, kam luajtur jashtë vendit, kam luajtur në kampionatet botërore, kam luajtur në Kampionatin Evropian”, zbuloi Stanislavskyi. “Unë nuk kam frikë nga askush. Unë shpresoj se lufta do të përfundojë dhe unë do të jem në gjendje të luaj tenis. Nëse do të shkoja në Poloni, do të luaja atje. Por vendosa të qëndroja në shtëpi dhe të pres përfundimin e luftës, pasi kam plane të mëdha për karrierën time”.