Sport

Te Shqipëria llogarisin në gjashtë pikë nga tri ndeshjet e para

Qendërmbrojtësi Ardian Ismajli është i bindur se Përfaqësuesja e Shqipërisë do të ketë një ecuri të mbarë në ciklin e kualifikimeve për kampionatin botëror “Katari 2022”, që nis javën tjetër. Në fakt, Ismajli është i bindur se në tri ndeshjet e para të Grupit B, Shqipëria do të jetë në gjendje të arkëtojë të paktën gjashtë pikë, duke shfaqur synimin për dy fitore.

Sipas Ismajlit, në këtë cikël eliminator Shqipëria do të luftojë për vendin e dytë edhe pse pranon se konkurrenca është e fortë. Shqipëria është në grup me Anglinë, Andorrën, Hungarinë, Poloninë dhe San Marinon. Ndeshjen e parë të këtij cikli eliminator, kuqezinjtë e luajnë në udhëtim kundër Andorrës më 25 mars, kurse tri ditë më vonë në stadiumin “Air Albania” e presin Anglinë, për të cilën Ismajli pranon se është favorite e grupit. Ndërsa më 31 mars Shqipëria do ta luajë ndeshjen e tretë të këtyre kualifikimeve si mysafire e San Marinos.

Ismajli, 24-vjeçar, insiston se Shqipëria duhet patjetër të regjistrojë dy fitore në këto tri ndeshjet e para, kundër Andorrës e San Marinos.

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edy Reja, pritet që brenda pak ditëve të publikojë listën e futbollistëve për këto ndeshje, në të cilën do ta përfshijë edhe Ismajlin.

“Duke pasur parasysh kundërshtarët që i kemi këtë muaj, atëherë patjetër duhet të marrim gjashtë pikë. E them këtë sepse jemi më lart se Andorra e San Marino, ndërsa sa i përket duelit me Anglinë, shpresoj të japim maksimumin dhe të nxjerrim më të mirën nga kjo ndeshje”, është shprehur Ismajli të hënën për KOHËN.

Ismajli ka shtuar se grupi nuk është aspak i lehtë, por rezultatet e mira që i ka treguar Shqipëria në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, në njëfarë mënyre i japin atij garanci për të synuar vendin e dytë në grup. Në sezonin e dytë të Ligës së Kombeve, Shqipëria tregoi rezultate të mira dhe prej Ligës C arriti të promovohet në një rang më lartë, në Ligën B.

“Grupi është shumë i vështirë dhe këtë e kemi parasysh. Por asgjë nuk është e pamundur duke e ditur që kemi treguar një formë të shkëlqyer në Ligën e Kombeve, e cila besoj se do të na përcjellë edhe në kualifikimet e Botërorit që mbahet vitin tjetër”, ka thënë Ismajli. “Normalisht Anglia as që diskutohet sa i përket pozitës së parë në grup për shkak se është favorite absolute. Mirëpo ne do të luftojmë për vendin e dytë, ndonëse do të jetë një luftë e ashpër pasi aty janë edhe Polonia e Hungaria”.

Ismajli ka folur edhe për formën e tij që po e tregon te ekipi nga Serie A, Spezia, të cilit iu bashkua para fillimit të këtij edicioni nga Hajduku i Splitit. Ai pranoi se fillimi te Spezia nuk ishte aspak i lehtë, por insiston se tani është adaptuar shumë mirë në ekip dhe gjithçka po shkon ashtu siç ka pritur kur vendosi të transferohej në Itali. Madje, transferimin te Spezia e ka quajtur si lëvizje të qëlluar pasi në të ardhmen synon të bëjë një hap më të madh në karrierë, natyrisht nëse vazhdon me paraqitje të mira.

“Pas fillimit shumë të vështirë, mund të them se tani po ndihem shumë mirë dhe mendoj se ishte lëvizje më se e qëlluar transferimi te Spezia. Jam ambientuar shumë mirë dhe gjithçka po shkon në rrugën e duhur. Po shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm pasi synimi im është të bëj një lëvizje apo hap më të madh në karrierë”, ka shtuar Ismajli.

Ismajli deri më tani ka 14 paraqitje në të gjitha garat për Spezian, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2023. Vetëm në Serie A, Ismajli ka regjistruar dhjetë ndeshje dhe ka një asistim. Kurse Spezia, që për herë të parë në histori të klubit po luan në elitën e futbollit italian, aktualisht zë vendin e 15-të në tabelë me 26 pikë të mbledhura pas 27 xhirove të zhvilluara.