Klubi i Serie A së Italisë, Napoli po insiston në transferimin te yllit të Kosovës, Milot Rashica. Te Napoli e shohin Rashicën si pasardhës për Jose Callejonin, shkruan “Corriere dello Sport”, transmeton Koha.net.
Callejon 33-vjeçar ka kontratë me Napolin deri në fund të këtij stinori dhe po pritet të largohet. Rashica në anën tjetër pritet të largohet nga Werder Bremeni në afatin e radhës. Mirëpo, për të po interesohen shumë klube, përfshirë edhe Liverpooli.
“Vështirësitë më të mëdha do të jenë në krahun e djathtë të sulmit, ku Callejon do të lë zbrazëti dhe nuk është e lehtë të gjendet një lojtar me inteligjencë të tillë dhe aftësi të tilla. Te Napoli, e kanë identifikuar kosovarin Milot Rashica si të aftë që mund të mbulojë atë pozitë. Në një stinor fatëkeq për Werder Bremenin ai ka arritur të shënojë dhjetë gola dhe asistoi tre tjerë”, është shkruar ndër të tjera nga “Corriere dello Sport”.
Kontrata e Rashicës me Werderin skadon në verën e vitit 2022. Te klubi i Bundesligës gjermane ai gjendet që nga janari i vitit 2018 kur kaloi nga Vitesse e Holandës për shtatë milionë euro. Raportohet se Werderi do të kërkojë së paku 35 milionë euro nga shitja e Rashicës. Werderi po lufton për mbijetesë në Bundesligën gjermane.