Futbollistët e rinj, Keidi Bare dhe Marash Kumbulla, janë të gatshëm për të shpaguar besimin e përzgjedhësit të Kombëtares së Shqipërisë, Edy Reja. Nëse aktivizohen, Bare e Kumbulla premtojnë maksimumin në ndeshjet eliminatore për "Euro 2020".
Si Bare ashtu edhe Kumbulla janë pjesë e listës së futbollistëve në të cilët trajneri Reja llogarit për duelet me Francën dhe Islandën, në kuadër të Grupit H eliminator, shkruan Koha Ditore.
Shqipëria është futur në ditën e tretë të përgatitjeve intensive që po i mban në Durrës për këto dy ndeshje. Me Francën do të luajë në udhëtim me datën 7 shtator, kurse tri ditë më vonë e pret në "Elbasan Arena" ekipin e Islandës.
Mesfushori ofensiv, Bare, që është pjesë e ekipit spanjoll Malaga, është shprehur i lumtur me kthimin e tij te Shqipëria pas një kohe.
19-vjeçari në muajin mars të vitit 2018 kishte debutuar me Shqipërinë, dhe kjo është paraqitja e tij e vetme. Të mërkurën në konferencën për shtyp, Bare ka thënë se është i gatshëm për ndeshjet e rëndësishme të grupit, me kampionen e botës, Francën, dhe me Islandën.
"Të them të drejtën e prisja shumë këtë ftesë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Shpresoj që tani të jap maksimumin për të mirën e ekipit. Me trajnerin kam folur pak para dy ditësh dhe më foli shumë fjalë të mira. Nuk e di a do të luaj, por po punoj fort që të justifikoj në fushë besimin e teknikut", është shprehur Bare...(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)