Paraqitja e mira që mesfushori Amir Abrashi pati në fitoren e thellë të Freiburgut 5:1 ndaj Augsburgut, ka gëzuar pa masë trajnerin Christian Streich, përcjell “Kicker”.
Abrashi luajti gjatë tërë kohës, kurse kjo ishte ndeshja e dytë këtë edicion pas rikuperimit nga lëndimi që e mbajti për një periudhë të gjatë jashtë fushës.
“Ajo çfarë tregoi Abrashi pas pauzës 11-muajshe ishte diçka fantastike dhe kënaqësi e madhe për mua. Ai po përparon nga ndeshja në ndeshje dhe për Freiburgun mund të konsiderohet përforcim i afatit kalimtar të janarit”, ka thënë Streich. “Ai po luan shumë mirë dhe është adaptuar menjëherë. Do të na ndihmojë shumë deri në fund të edicionit, pasi synimi ynë është që të mbesim në Bundesligë edhe për edicionin tjetër”.
Freiburgu aktualisht zë vendin e 13-të në Bundesligë me 27 pikë pas 23 ndeshjeve. Duelin e ardhshëm e luan si mysafir kundër Bayer Leverkusenit. Abrashi është pjesë e këtij ekipi prej vitit 2015 dhe ka kontratë deri në vitin 2020.