Sport

Te Ballkani janë të vendosur për të fituar trofe

Ballkani është prej klubeve që kanë bërë investime të mëdha në vitet e fundit. Të mëdha suharekasit i kanë pasur edhe synimet.

Por, Ballkanit i kanë munguar dhe i mungojnë trofetë, ndërsa ka mbetur edhe jashtë garave evropiane deri më tani.

Te ky klub janë të vendosur që këtë edicion garash ta përfundojnë me trofe të fituar. Prioritet te Ballkani e kanë titullin e kampionit, ndërsa synojnë t’i shkojnë deri në fund edhe garës për Kupë.

Stinorin vjeshtor Ballkani e mbylli në vendin e tretë me 33 pikë, dy më pak se lideri Gjilani.

Besimin për ta shtyrë para ekipin, kryetari Arsim Kabashi ia ka besuar trajnerit nga Shqipëria, Ilir Daja.

Daja dhe futbollistët e Ballkanit kanë nisur përgatitjet javën e kaluar, ndërsa në fillim të javës së ardhshme do të udhëtojnë në Antalia të Turqisë. Daja në postin e trajnerit zëvendësoi Bekim Isufin e shkarkuar.

“Jam i kënaqur me kontingjentin me gjendjen fizike të lojtarëve. Kemi bërë një test për shpejtësinë maksimale aerobike, ku pjesa më e madhe e lojtarëve janë shprehur mirë dhe kanë pasur rezultate pozitive. Po përshtatemi me lojtarët, por edhe lojtarët me mënyrën tonë të punës. Por, ajo që është e përgjithshme është se ka entuziazëm brenda ekipit dhe situata duket mirë”, ka thënë Daja të enjten për KOHËN.

Daja thotë se për të arritur suksese duhet angazhim i përbashkët si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje.

“Janë edhe 18 javë. Gjej rastin ta falënderoj edhe stafin e kaluar, sepse ka mbajtur Ballkanin në këto nivele ku pretendon Evropën dhe objektiva madhore. Besojmë se të gjithë këtu jemi të vetëdijshëm që klubi ka objektiva madhore. Këta 2-3 vjetët e fundit Ballkani ka qenë prezent në vendet e para. Do t’i marrim gjërat me radhë dhe do ta bëjmë maksimumin duke u përqendruar vetëm te ndeshja e parë e që është ajo e Kupës. I gjithë fokusi është te kjo ndeshje që të jemi me ritëm sa më të lartë në ndeshjet e kampionatit”, është shprehur trajneri tiranas.

Daja ka fituar tre tituj të kampionit në Shqipëri, me Dinamon e Tiranës, Elbasanin dhe Skënderbeun. Ish-trajneri i shumë skuadrave në Shqipëri thotë se Ballkani do të jetë ekip sulmues. Ai ka treguar se te Ballkani mund të ketë edhe prurje të reja.

“Edhe unë, por edhe stafi im kërkojmë të jemi agresivë në pjesën e përparme të fushës. Nuk praktikojmë një mbrojtje në defensivë apo ultra defensivë për arsye se në situata të caktuara loje nëse nuk do të realizojmë ato detyra që duhen në reparte të ndryshme patjetër që do të zbresim edhe në 1/3 e mbrojtjes, por që si filozofi loje është që do të kërkojmë të jemi sipër pra në presing, ofensivë. Këto kemi kohë t’i praktikojmë, sepse të martën nisemi për në Turqi ku do ta përfundojmë fazën përgatitore dhe për të parë me kontingjentin që kemi dhe për të vendosur me mënyrën të cilën do ta përdorim në përshtatje me lojtarët që kemi”, ka deklaruar ai.

Edhe futbollistët e skuadrës nga Suhareka janë shprehur entuziastë për ta ndihmuar Ballkanin të fitojë trofe këtë edicion. Mesfushori Kushtrim Gashi thotë se lufta për kreun e tabelës do të jetë e fortë, por ka theksuar se angazhimi nuk do të mungojë për ta fituar titullin.

“Ne jemi duke stërvitur maksimalisht. Qe dy vjet jemi duke provuar të dalim kampionë, mendoj se gjitha përgatitjet e duhura jemi duke i bërë për të dalë në Evropë apo të dalim kampion. Stërvitjet i kemi filluar me kohë dhe mendoj se një apo dy përforcime na duhen për të kompletuar grupin dhe të vazhdojmë tutje për ta realizuar objektivin. Lufta është shumë e fortë. Jemi 3-4 ekipe në garë, por me angazhim të grupit dhe gjithëve do të dalim kampionë”, ka thënë Gashi.

Ndërkohë, mbrojtësi Armend Thaqi thotë se janë pjekur edhe më shumë si skuadër në dy vjetët e fundit dhe se sukseset nuk do të mungojnë këtë vit.

“Është viti i dytë në Ballkan dhe vitin e kaluar dështuam, sepse nuk arritëm Evropën dhe titullin. Këtë vit nuk jemi në vend të parë, por jemi në garë dhe të gjithë ne si futbollistë, kryesi kemi marrë mësim nga viti i kaluar dhe tani jemi më të pjekur dhe jemi të gatshëm të luftojmë deri në fund për të dalë kampion. Lufta do të jetë e fortë, pasi edhe Prishtina është në garë edhe pse ka mbetur prapa pak me pikë. Por, edhe vitin e kaluar ka qenë prapa, por në fund doli kampione”, ka thënë Thaqi.

Ballkani drejt Turqisë do të niset të martën. Në Antalia ka paraparë t’i luajë katër ndeshje miqësore. Në 1/8 e finales të Kupës së Kosovës do të luajë kundër Malishevës muajin tjetër.