Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tare: Katastrofë nëse nuk rifillon futbolli

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, thotë se do të ishte katastrofë nëse Serie A nuk rifillon. Ai vlerëson se qeveria italiane duket se nuk dëshiron të ndihmojë.

Serie A ka vendosur 13 qershorin si datë kur planifikon të rifillojë me ndeshje, por Tare pret të ketë komplikime gjatë kampeve stërvitore dhe thotë se Gjermania ka protokollin më të mirë për të përfunduar stinorin në futboll.

“Ne do të tentojmë të fitojmë titullin nëse rikthehet Serie A, nëse jo, atëherë do të tentojmë sërish vitin e ardhshëm”, ka thënë Tare, në intervistë për “La Repubblica”. “Ata që thonë se nuk mund të përfundojmë kampionatin vetëm për interesa personale, ata nuk kanë kuptuar gjë. Futbolli i siguron jetesën 370 mijë njerëzve, nëse ndalet, do të jetë rënia për shumë dhe Italia do të humbasë një pjesë të historisë së saj. Do të jetë katastrofë sociale. Ndalimi nënkupton, gati sigurt, se nuk mund të rikthehemi edhe në shtator. Shumë muaj mosaktivitet do të jenë të papërballueshme. Ata që na kanë zili dhe mendojnë se futbolli është vetëm Serie A e kanë gabim, pasi mijëra njerëz dhe familje punojnë këtu. Ne kemi detyrë t’i mbrojmë ata” .

Shefi-mjekësor Ivo Pulicini ka thënë se protokolli që kërkon që gjithë grupi të futet në karantinë në rast të një testi pozitiv për koronavirus është çmenduri dhe Tare pajtohet me mjekun e Lazios.

“Nuk mendoj se ministri i sportit Vincenzo Spadafora, është aq i papërgjegjshëm sa i bën këto me qëllim, por ka qeveri në Evropë që duan të ndihmojnë futbollin. Gjermania, Spanja, Anglia, si shembull. Në Itali nuk është kështu, dhe madje as në Francë, ku kanë anuluar çdo gjë. Mendoj se qeveria franceze do të humbasë shumë raste në gjykatë kundër klubeve”, ka shtuar Tare. “Gjermania ka protokollin më të mirë shëndetësor, shumë teste dhe nëse ka një rast pozitiv nuk izolohet gjithë grupi. Ata luajnë dhe nëse dikush vendos të shkojë në shtëpi, mund ta bëjë këtë, por duhet të paguajë për testet javore për të dhe familjen e tij. Te Lazio, pas testeve serologjike, të gjithë kanë dal negativ dhe asnjë lojtar nuk është larguar nga Roma”.