Lumbardh Dellova e Qëndrim Zyba, u paraqitën për herë të parë te Përfaqësuesja e Kosovës në një ndeshje kualifikuese. Paraqitja e dy lojtarëve të Ballkanit në fitoren e Kosovës 3:0 në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024” kundër Andorrës të enjten, u vlerësua pozitive. Një tjetër lojtar i Ballkanit, pati po ashtu një ndeshje të madhe. Mesfushori Edvin Kuç shënoi dy gola në debutim te Mali i Zi që fitoi miqësoren ndaj Libanit me rezultatin, 3:2. Në stol te Kosova ishte edhe mbrojtësi i Llapit, Ilir Krasniqi. Janë këta katër lojtarët e klubeve të Kosovës që ishin pjesë e Kosovës dhe Malit të Zi. Por numri i lojtarëve që janë rritur në klubet e Kosovës është më i madh. Te Kosova për ndeshjen ndaj Andorrës ishin tetë lojtarë që në periudha të ndryshme kanë luajtur në kampionatin e Kosovës. Te Shqipëria që fitoi 3:0 ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024” ndaj Çekisë ishin katër lojtar, derisa te Mali i Zi një.
Kosovës i mungoi sulmuesi Vedat Muriqi, shkaku i suspendimit, ndërsa Shqipërisë mbrojtësi Ardian Ismajli për shkak të lëndimit.
“Ndeshjet në Evropë me Ballkanin na ndihmojnë shumë, sepse po rritemi si lojtarë. Po marrim përvojë dhe po e përfaqësojmë ligën tonë në mënyrën më të mirë”, tha Zyba ditë më parë për KOHËN.
Krahas Zybës, Dellovës dhe Krasniqit, pjesë e Kosovës për ndeshjen kundër Andorrës ishin edhe ish-lojtarët e klubeve të Kosovës, portieri Visar Bekaj, mesfushorët Meriton Korenica, Bernard Berisha dhe sulmuesit Albion Rrahmani e Milot Rashica.
Edhe Shqipëria kishte në mesin e saj portierin e parë Etrit Berishën. Berisha ka luajtur gjatë në Kosovë para se të vazhdonte karrierën në Evropë. Gjatë kanë luajtur edhe Ylber Ramadani, Arbnor Muja e Mirlind Daku. Pjesë e listës së përzgjedhësit të Shqipërisë, Sylvinho ishte edhe Ardian Ismajli. Ismajli mungoi shkaku lëndimit. Por në fitoren e madhe të Shqipërisë ndaj Çekisë kontribut të madh dhanë mesfushori Ylber Ramadani dhe sulmuesi Mirlind Daku. Dy futbollistët asistuan në golin e parë, përkatësisht të tretin. Arbnor Mujës iu anulua goli i shënuar, kurse Etrit Berisha ishte i pamposhtur nga çekët.
Edhe Edvin Kuç dëshmoi se me meritë u ftua nga Mali i Zi. Ai shënoi dy supergola në fitoren e Malit të Zi ndaj Libanit. Kapiteni i Ballkanit pritet ta ketë rastin të paraqitet edhe ndaj Serbisë në Beograd të martën. Kjo ndeshje u takon kualifikimeve për “Euro 2024”. Me fitore do të rriste gjasat për kualifikimin në Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani.
“Gjithmonë kam besuar se një ftesë do të vijë. Falënderoj Zotin që ajo ëndërr u bë realitet. Zoti më shpërbleu për atë që kam kaluar në jetë dhe në karrierë. Nuk mund ta përshkruaj ndjenjën e gëzimit. Vetëm kur nisi himni e kuptova se sa e mrekullueshme ishte dhe çfarë kënaqësie ishte. Shënova dy gola në debutim dhe jam i vetmi lojtar në histori që e bëj një gjë të tillë. Nuk ka mundur të jetë nisje më e mbarë se kjo për mua, por kjo nuk do të thotë se unë duhet të ndalem. Mendoj se ende ka vend për përmirësim dhe se mund të jap ndihmën time për ekipin shtetëror”, ka thënë Kuç.
Trajneri i futbollit, Gani Sejdiu, thotë se lojtarët e Superligës duhet të shikohen me kujdes më të madh nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).
“Talenti ka ekzistuar, por niveli nuk ka qenë për shkak të kushteve dhe nga ana taktike e fizike. Por vitet e fundit klubet kanë përpara, kushtet e punës janë rritur, sidomos këto klubet që synojnë Evropën janë rritur shumë. Kanë trajnerë profesional e po ashtu edhe kushte të mira për punë. Është koha me shikuar gjërat ndryshe. Duhet pak guxim. Është koha që të luajnë ata që kanë minutazh në klubet e tjera. Ky ka qenë kriter, por nuk është shikuar te ne. Ka rëndësi trajneri në këtë rast. Sylvinho është trajner që ka marrë lojtar si Jasir Asanin, e që edhe ne në Kosovë kemi lojtar që mund të bëhen si Jasir Asani, por nuk i japim hapësirë te Kosova. Shqipëria pas epokës së De Biasit ka pasur krizë totale. Kosova ishte para Shqipërisë. Duhet studim i thellë për rënien tonë. Frikësohem se edhe në të ardhmen lojtarët të mos vijnë, prandaj duhet t’i vlerësojnë talentet që i kemi në Kosovë”, ka thënë Sejdiu.