Sport

Stinori vjeshtor mund të mos përfundojë siç parashohin FFK-ja dhe klubet

Shumica e skuadrave të Superligës së Kosovës në futboll kanë publikuar orarin e gjashtë xhirove të fundit të stinorit vjeshtor, që është planifikuar të mbyllet më 14 dhjetor. Mirëpo të njëjtën gjë nuk e ka bërë Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), që organizon garat pasi nuk dihet saktë nëse do të mund të luhen të gjitha xhirot e parapara, shkaku i pandemisë, por edhe i motit jo të përshtatshëm që mund të mbretërojë në muajin tjetër. Zakonisht stinori vjeshtor në elitën e futbollit kosovar ka përfunduar në fund të nëntorit ose fillim të dhjetorit, gjë që nuk do të mund të ndodhë në këtë vit, shkaku i pandemisë. Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka pranuar për KOHËN se nuk ka siguri që stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës mund të përfundojë në kohën e paraparë. Ai këtë e ka thënë për shkak të situatës me pandeminë, ndonëse ka pranuar se klubet po iu përmbahen masave dhe rekomandimeve që tashmë i ka marrë. Salihu thotë se nëse respektohen rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, atëherë mund t’ia dalin. Ndërsa sa i përket motit të papërshtatshëm, ai ka thënë se kjo nuk do të jetë pengesë për klubet elitare pasi shumica kanë stadiumet ndihmëse me bar artificial.

“Nuk ka siguri se mund ta mbyllim këtë pjesë për shkak të situatës aktuale me virusin, por si federatë jemi të gatshëm t’i përfundojmë të gjitha ndeshjet deri nga mesi i muajit të ardhshëm. Besoj se do t’i përfundojmë pasi kemi shumë ndeshje dhe për këtë vazhdimisht jemi në kontakte me Ministrinë e Shëndetësisë dhe po kërkojmë nga klubet që t’u përmbahen masave sipas rekomandimeve”, është shprehur Salihu. “Deri më tash jemi të kënaqur me respektimin e masave dhe vetëm në këtë mënyrë mund ta kryejmë edicionin sipas planit tonë.

Salihu gjithashtu shtoi se për momentin nuk ka lojtarë të prekur nga koronavirusi në Superligë: “Tash për tash nuk ka lojtarë të infektuar, si dhe nuk ka më simptoma, sepse po te kishte klubet do të tregonin”.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë për KOHËN se nuk do të jetë e lehtë për asnjë skuadër që të luajë çdo tri ditë. Por ai mendon se stinori vjeshtor duhet të përfundojë me gjithë virusin dhe rastet e shumta që po infektohen çdo ditë në Kosovë.

“Nuk do të jetë aspak e lehtë, por duhet ta mbyllim pjesën vjeshtore në mënyrën më të mirë pasi nuk është këtu faktori njeri, por faktori natyrë. Ne e kemi një ndeshje më pak të luajtur, sesa shumica e skuadrave tjera të Superligës. Nuk do të jetë e lehtë, por do të mundohemi ta përballojmë deri në fund këtë ritëm”, ka thënë Batatina.

Sipas tij, në asnjë mënyrë nuk duhet të mendohet ndërprerja e aktiviteteve sportive. Madje ai është i bindur se koronavirusi nuk e ka më fuqinë që kishte në fillim kur në muajin mars ndërpreu të gjitha aktivitetet sportive.

“Mendoj se do t’i përfundojmë të gjitha ndeshjet, sepse nuk kemi zgjidhje tjetër. Koronavirusi veçse ka filluar të prekë shumicën e njerëzimit dhe unë mendoj se ka kaluar rreziku nga ky virus, i cili e ka humbur fuqinë që e kishte më herët. Në asnjë mënyrë nuk duhet të ndërpritet kampionati, pasi nuk ka arsye. Ne duhet të mësohemi me këtë virus dhe ta mbyllim stinorin vjeshtor në mënyrën më të mirë. E pastaj në pranverë të fillojmë me kohë dhe të mos kemi ngarkesa të mëdha”, u shpreh Batatina.

E për të mos ardhur deri të ndërprerja e aktiviteteve sportive, ushtruesi i detyrës së sekretarit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ibër Alaj, ka deklaruar se po mundohen që të menaxhojnë situatën në mënyrën më të mirë të mundshme, për të mos ardhur deri te ndërprerja. Ai tha se vazhdimisht po këshillohen si federatat ashtu edhe klubet që t’u përmbahen masave të rekomanduara.

“Në këto masa po mundohemi ta menaxhojmë situatën për të mos ndodhur pengimi i zhvillimit të aktiviteteve sporti”, tha Alaj.

Deri më tani në Superligën e Kosovës janë zhvilluar 12 xhiro, por nuk i kanë zhvilluar të gjitha ekipet nga 12 ndeshje për arsye të ndryshme. Vetëm pesë prej dhjetë skuadrave i kanë luajtur nga 12 ndeshje. Katër i kanë nga 11 ndeshje të luajtura derisa vetëm kampionia në fuqi, Drita, ka dhjetë duele të luajtura. Drita ka dy duele më pak për shkak të angazhimeve që i kishte në raundet kualifikuese të Ligës së Evropës.

“Duhet të respektojmë çdo vendin të institucioneve shëndetësore sepse shëndeti është primar por mendoj se situata po kontrollohet mirë dhe po respektohet protokolli që është dhënë nga federata”, ka thënë ndër të tjera trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu.