Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Steve Nash largohet nga Brooklyn Nets

Steve Nash nuk do të jetë trajneri i Brooklyn Nets, ka njoftuar të martën ekipi nga NBA. Vendimi për t’i ndarë rrugët me Nashin, thuhet në njoftim se ishte i dyanshëm.

Largimi i Nashit ka ardhur pas startit të dobët këtë edicion. Në shtatë ndeshje të luajtura deri më tani, Brooklyni ka dy fitore karshi pesë humbjeve.

Në njoftimin e lëshuar, Brooklyni ka falënderuar Nashin për kohën sa ka qenë në krye të ekipit dhe ka thënë se nuk ishte aspak vendim i lehtë.

“Duam të falënderojmë Steven për gjithçka që ka sjellë në klubin tonë përgjatë këtyre dy edicioneve e gjysmë. Prej se ishte trajner i ekipi tonë, ai është përballur me shumë sfida, por u dëshmua si një lider i vërtetë. Nuk ishte aspak një vendim i lehtë, por që u mor së bashku me Steven”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Nash po ashtu ka falënderuar klubin për përvojën e jashtëzakonshme, siç e ka quajtur periudhën në krye të Brooklynit. Asistenti i Nashit, Jacque Vaughn do ta udhëheqë ekipin derisa të vendoset për trajnerin e ri të Brooklynit.