Ylli i Manchester Cityt, Raheem Sterling, është suspenduar nga Federata e Futbollit e Anglisë për ndeshjen e radhës eliminatore për “Euro 2020” kundër Malit të Zi, që zhvillohet të enjten, mirëpo ai do të jetë në dispozicion të përfaqësueses për ndeshjen e së dielës kundër Kosovës.
Sterling është suspenduar të hënën mbrëma si pasojë e një zënke që pati me Joe Gomezin e Liverpoolit në stërvitje të përfaqësueses. Ndonëse nuk do të jetë në dispozicion për Malin e Zi, Sterling ka mbetur në skuadër, shkruan sot Koha Ditore.
“Ne kemi marrë vendim që të mos e marrim parasysh Raheemin për ndeshjen kundër Malit të Zi, të enjten. Një nga sfidat tona më të mëdha dhe forcat më të mëdha është të jemi në gjendje të ndajmë rivalitetet e klubeve nga përfaqësuesja. Për fat të keq, emocionet e ndeshjes të së dielës ende janë të freskëta. Ndjenja ime është se kemi marrë masat e duhura. Vendimi është marrë me marrëveshje me gjithë skuadrën, është me rëndësi që të përkrahim lojtarët dhe të përqendrohemi të enjten mbrëma”, ka thënë seleksionuesi i Anglisë, Gareth Southgate.
Sterling dhe Gomez patën një fjalosje në fushë gjatë ndeshjes, të cilën Liverpooli e fitoi 3:1 ndaj Cityt në “Anfield” të dielën. Ata më pas të hënën patën një debat që u kthye në zënkë, ku u ndanë nga bashkëlojtarët. Gomez është parë me një të gërvishtur në fytyrë në stërvitje.
Sterling nëpërmjet Instagramit të martën ka kërkuar falje për incidentin.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)