Ish-mbrojtësi i Holandës dhe Manchester Unitedit, Jaap Stam, është emëruar trajner i Cincinnatit, ka njoftuar klubi i ligës amerikane MLS.
Stam ka zëvendësuar holandezin tjetër, Ron Jans, që ka dhënë dorëheqje në shkurt pas akuzave për shprehje raciste në prani të lojtarëve.
“Për mua të fitojë mundësinë të punojë në Amerikë dhe në një klub të MLS-së si Cincinnati , është ëndërr”, ka thënë Stam.
“Gjithnjë më ka pëlqyer ky vend dhe mentaliteti i njerëzve në SHBA dhe po ashtu ajo që ata mundohen të arrijnë”.
Stam ka nënshkruar deri në vitin 2021 me opsion edhe për vitin 2022. Ai merr drejtimin e ekipit me bilancin më të keq në vitin e kaluar dhe që ka humbur dy ndeshjet e këtij edicioni para se kampionati të ndërpritej për shkak të pandemisë.
47-vjeçari Stam, që ka kaluar tri vjet te Manchester Unitedi dhe ka ndihmuar këtë skuadër të fitonte Ligën e Kampionëve në vitin 1999, kalon te Cincinnati pas një kohe të shkurtë te Feyenoordi. Ai ka luajtur edhe për Lazion e Milanin.