Sport

Stagnimi i sportit, Kosova kthehet pa medalje nga Lojërat Evropiane

Në dhjetor të vitit 2012, Komiteti Olimpik Evropian njoftoi për krijimin e Lojërave Evropiane, ngjarje shumësportëshe kontinentale. Edicioni i parë i Lojërave Evropiane u mbajt në Baku të Azerbajxhanit në qershor të vitit 2015. Pak muaj më herët, Komiteti Olimpik i Kosovës ishte njohur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Kështu edicioni i parë i Lojërave Evropiane ishte edhe debutim i Kosovës në ngjarjet shumësportëshe.

Edicioni i dytë i Lojërave Evropiane u mbajt në Minsk të Bjellorusisë në qershorin e vitit 2019. Edicioni i tretë i Lojërave Evropiane përfundoi të dielën në Krakow dhe Malopolska të Polonisë. Ka pasur dukshëm më pak entuziazëm në edicionin e tretë të Lojërave Evropiane, në krahasim me të dytin. Ngjarja që fillimisht mendohej si Olimpiadë Evropiane, po e humb shkëlqimin nga edicioni në edicion.

Për Kosovën sidomos Lojërat Evropiane në Poloni ishin dukshëm hap prapa në krahasim me Lojërat në Baku dhe në Minsk. Dhe, ndër të tjera, kanë dëshmuar se sporti në vend nuk është në rrugën e duhur.

Në Baku në vitin 2015 Kosova ishte në mesin e 42 vendeve që kishin fituar medalje. Xhudistja Nora Gjakova fitoi medalje të bronztë në ngjarjen debutuese të Kosovës, për gëzimin dhe entuziazmin e madh.

Tetë vende evropiane nuk fituan medalje në Baku: Shqipëria, Andorra, Bosnjë-Hercegovina, Islanda, Lihtenshtajni, Luksemburgu, Malta dhe Monako.

Falë xhudos, Kosova bëri përparim të madh në Minsk në vitin 2019. Më nuk ishte në fund të listës së vendeve me medalje të fituara. U rendit e 34-ta, duke lënë prapa nëntë vende që kishin medalje të fituara. Pas Kosovës mbetën Estonia, Moldavia, Sllovakia, Luksemburgu, Bosnjë-Hercegovina, Qipro, Mali i Zi, Norvegjia dhe San Marino. Kosova kishte një të artë, një të argjendtë e një të bronztë. Të tri medaljet i kishte nga xhudoja. Medalje të artë fitoi Majlinda Kelmendi, të argjendtë Nora Gjakova e të bronztë Loriana Kuka.

Në “Minsk 2019” pa medalje mbetën Shqipëria, Andorra, Islanda, Lihtenshtajni, Malta, Monako dhe Maqedonia e Veriut.

Është shpresuar për hap para të Kosovës në edicionin e tretë të Lojërave Evropiane. Por u bë hap i madh prapa. Kjo kryesisht për faktin se xhudistët munguan, ndërsa në sportet e tjera sportistët kosovarë shfaqën pak. Në disa sporte madje niveli i shfaqur ishte inferior, thuajse rekreativ.

Delegacioni i Kosovës nga Polonia është kthyer pa medalje të fituar. Kështu Kosova është futur në grupin e vendeve të vogla që nuk kanë fituar medalje. Prej këtij grupi për herë të parë doli Shqipëria, që fitoi dy të arta në Poloni.

Derisa në Baku dhe në Minsk gara e xhudos në Lojëra Evropiane shërbente edhe si Kampionat Evropian i xhudos për seniorë, në Krakow dhe Malopolska kjo nuk ndodhi. Gara e xhudos në Lojëra Evropiane ishte Kampionat Evropian me ekipe të përziera. Si e tillë nuk ishte atraktive për ekipin e Kosovës në xhudo, që nuk mori pjesë. Kështu goditja e madhe për Kosovën në Lojëra Evropiane erdhi shumë kohë para se të nisnin ato.

Humbja e vlerës së garës së xhudos është dëshmi që Lojërat Evropiane po shkojnë duke u zbehur si aktivitet. Këtë jozyrtarisht e kanë pranuar edhe në delegacionin e Kosovës. Edhe organizimi në Poloni ishte dukshëm më i zbehtë se në Azerbajxhan e Bjellorusi. E sidomos më e zbehtë ishte paraqitja e Kosovës.

41 shtete kanë fituar medalje në Poloni. Në fund të listës janë Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Monako me nga një të argjendtë. Kosova nuk është fare në listë. Është në listën e shkurtër me gjashtë vende të vogla që nuk kanë fituar fare medalje në këtë edicion të Lojërave Evropiane.

Andorra, Lihtenshtajni, Malta, Islanda, Mali i Zi dhe San Marino janë shtetet e tjera që nuk kanë fituar medalje. Medalje nuk fitoi as ekipi i refugjatëve.

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, është prej të paktëve që ka kërkuar llogari për mbetjen e Kosovës pa medalje. Ai është më se kompetent për ta bërë këtë. Nxënësit e Kukës fitojnë rregullisht medalje në ngjarje të mëdha. Ndër të tjera, i kanë tri të arta olimpike. Kuka ka shkruar se përkrahja e shtetit për sportin, por edhe e Komitetit Olimpik, është në nivel. Ai ka shprehur kritika edhe për faktin se në Lojëra Evropiane janë parë zyrtarë që janë nga sporte që nuk ishin fare pjesë e Lojërave Evropiane. E ka pasur fjalën për disa zyrtarë të KOK-ut kryesisht.

“Gjithmonë në gara shihen persona që janë zyrtarë, por në fakt askush nuk e kupton se në çfarë roli janë dhe pse kanë shkuar kur sportet e tyre nuk janë pjesë e garave. Federatat dhe KOK-u duhet të kujdesen që të afrojnë profesionistë nga lëmi i sportit për t’i avancuar rezultatet e jo njerëz që në sport janë aksidentalisht. Duhet të kuptohet drejt gjendja e sportit dhe si të ecet para”, ka shkruar Kuka.

Nga Komiteti Olimpik i Kosovës nuk ka ndonjë vlerësim për paraqitjen në Lojëra Evropiane.

Kosovën e kanë prezantuar 38 sportistë në Poloni. Në Baku ishin 19, ndërsa në Minsk vetëm 12.

Në Poloni shumica kanë garuar në atletikë, ndërsa ka pasur sportistë kosovarë edhe në boks, taekwondo, shigjetari, kajak, çiklizëm, shenjëtari e teqball. Por nuk kishte xhudistë. Dhe nuk ka as medalje.