Sport

Sprinterja bjelloruse ndihet e sigurt, të ardhmen e sheh në Poloni

Pas gjithë trazirave të javës së kaluar, atletja Krystsina Tsimanouskaya më në fund po ndihet e sigurt. Sprinterja olimpike e Bjellorusisë, e cila gjeti strehim në Poloni për të shmangur ndëshkimin në shtëpi pasi kritikoi zyrtarët e ekipit në Lojërat e Tokios, thotë se tani shpreson të përqendrohet në mënyrën se si të vazhdojë karrierën e vrapimit në nivel botëror.

Duke folur nga Qendra Olimpike në Varshavë, vrapuesja 24-vjeçare tha se ajo tashmë u ka kërkuar zyrtarëve polakë që ta ndihmojnë t’i rifillojë stërvitjet.

“Jeta më ndryshoi brenda një dite dhe tani po e filloj atë nga e para në një vend të ri”, tha ajo duke folur pranë burrit të saj, Arseni Zdanevich. “Ne po planifikojmë të qëndrojmë në Poloni dhe ta vazhdojmë karrierën tonë këtu. Ne iu drejtuam Ministrisë së Sporteve, iu drejtuam ekipit kombëtar të atletikës polake, për çështjet në lidhje me trajnerin, grupin dhe vendin ku mund të stërvitem dhe shumë çështje të tjera në lidhje me vazhdimin e karrierës sime sportive këtu në Poloni”.

Tsimanouskaya theksoi se ajo dhe burri i saj 25-vjeçar, një trajner atletike që gjithashtu ka qenë trajner i saj, mendojnë se do të ishte humbje e madhe të braktisin një program trajnimi online që e filluan në Bjellorusi.

“Ne kishim kaq shumë ide, i planifikuam deri në detajin më të vogël”, tha Tsimanouskaya. “Ne kemi shpenzuar shumë kohë dhe përpjekje në këtë program, të cilin duam ta vazhdojmë”.

Tsimanouskaya tha se ajo dhe burri i saj ndihen të sigurt në Poloni, ku mbërritën veçmas javën e kaluar me viza humanitare.

“Ne jemi padyshim të sigurt tani sepse jemi nën mbrojtje”, insistoi ajo.

Vrapuesja kujtoi momentet shqetësuese e konfuze kur kërkoi ndihmën e policisë japoneze në Aeroportin Ndërkombëtar “Narita” të Tokios, kur ajo u detyrua nga zyrtarët e Bjellorusisë të largohej herët nga Lojërat Olimpike dhe të kthehej në shtëpi.

“Ata nuk e kuptuan se çfarë më ndodhi mua”, tha ajo për policët. “Ata menduan se nuk isha mirë ose humba diçka. Dhe pastaj shkrova se po më nxirrnin me forcë jashtë vendit dhe nuk doja që të ndodhte një gjë e tillë”.

Tsimanouskaya e përdori telefonin e saj për të përkthyer kërkesën e dëshpëruar për ndihmë, pasi gjyshja e saj e paralajmëroi që të mos kthehej në Bjellorusi. Drama filloi pasi Tsimanouskaya kritikoi zyrtarët e ekipit të saj, duke thënë në “Instagram” se ajo ishte futur në stafetën 4x400 edhe pse nuk kishte vrapuar kurrë në atë disiplinë. Atëherë asaj iu ndalua të marrë pjesë në garën 200 metra vrapim, në të cilën priste të vraponte. Mirëpo, asaj i thanë që të paketonte valixhet. Në shtëpi, konflikti shkaktoi një reagim masiv në mediat shtetërore, duke thelluar frikën e Tsimanouskayas. Ajo rrezikonte të përballej me hakmarrje nëse do të kthehej. Kur ajo përdori aplikacionet e “Google” për të përkthyer lutjen e saj në policinë japoneze, një zyrtare e dyshimtë bjelloruse pyeti se çfarë po ndodhte. Ajo i tha se kishte harruar diçka në fshatin olimpik dhe kishte nevojë të kthehej. Tsimanouskaya përshkroi ndjenjën e sigurisë që ajo e kishte më në fund pasi policia japoneze e largoi nga zyrtarët e ekipit të Bjellorusisë.

“Unë mendoj se fillova të ndihesha e sigurt në aeroport kur isha me policinë”, shtoi ajo. “E kuptova që iu drejtova policisë, ata po më mbronin dhe jeta ime nuk ishte më në rrezik. Po më përcillnin vazhdimisht, ndihesha nervoze dhe nganjëherë duart më dridheshin, por nuk do të thosha që ndihesha e pasigurt. I vetmi vend që do të ishte i pasigurt për mua ishte Bjellorusia”.

Përplasja tërhoqi përsëri vëmendjen globale te mjedisi shtypës në Bjellorusi, ku autoritetet kanë lëshuar një goditje të pamëshirshme ndaj kundërshtarëve, pasi presidentit Alexander Lukashenko iu dha mandati i gjashtë pas votimit presidencial të 9 gushtit 2020, të cilin opozita dhe Perëndimi e panë të manipuluar.

Protesta të mëdha tronditën Bjellorusinë dhe autoritetet u përgjigjën duke arrestuar më shumë se 35.000 njerëz dhe duke rrahur mijëra tjerë. Autoritetet kanë rritur kontrollin në muajt e fundit, duke bastisur qindra zyra dhe shtëpi të gazetarëve të pavarur, aktivistëve dhe të gjithë atyre që konsiderohen jobesnikë. Lukashenko, i cili ka sunduar Bjellorusinë me grusht të hekurt për 27 vjet, i ka denoncuar kundërshtarët e tij si mashtrues perëndimorë.

I pyetur për sprinteren Tsimanouskaya në një konferencë shtypi të hënën, ai pohoi se “ajo nuk do ta kishte bërë vetë nëse nuk do të ishte manipuluar”.

Tsimanouskaya tha se ajo kishte qenë apolitike para ngërçit në Lojërat Olimpike të Tokios dhe me qëllim përmbahej nga nënshkrimi i peticioneve që sfidonin autoritetet, nga frika se kjo do t'i sillte dëm burrit të saj dhe prindërve të saj. Ajo tha se kishte probleme me zyrtarët e sportit pasi postoi një mesazh kundër dhunës në “Instagram” dhe iu tha se do të përballej me largim nga ekipi kombëtar i vendit nëse do ta bënte përsëri. Pas bllokimit në aeroport dhe telasheve të tjera, burri i saj tha se ata vendosën të transferohen në Poloni pasi biseduan me prindërit e tyre.

“Pas konsultimit me ta, ne vendosëm se ishte e rrezikshme të ktheheshim në Bjellorusi për momentin”, tha ai. “Dhe ne vendosëm që unë do të ndjek gruan time për ta mbështetur atë në një vend të ri dhe për të ndërtuar një karrierë sportive në Poloni. Unë isha më shumë i shqetësuar për gruan time sesa për veten time. Unë besoja se ata mund të më përdorin për ta lënduar atë disi”.

Tsimanouskaya dhe Zdanevich thonë se po u mungojnë shumë prindërve të tyre, por flasin me ta në aplikacionin “Zoom” dhe shpresojnë se ata mund t’i vizitojnë në Poloni një ditë. Ata duhej të linin qenin dhe macen e tyre në apartamentin në kryeqytetin bjellorus, Minsk, pasi Zdanevich duhej të ikte shpejt. Kështu që ata kërkuan nga fqinjët dhe miqtë që të kujdeseshin për ta. Vrapuesja gjithashtu shpreson të zgjidhë një problem me kompaninë “eBay”, që anuloi të gjitha ofertat kur u përpoq të nxirrte në ankand një medalje të argjendtë që e kishte në vitin 2019 për të mbledhur para për të ndihmuar atletët bjellorusë, të ndëshkuar për pikëpamjet e tyre politike.

"Unë u privova nga një shans për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike në ngjarjen time dhe eBay në fakt më mohoi një mundësi për t’i ndihmuar atletët tjerë”, tha Tsimanouskaya, duke shprehur shpresën se kompania do të korrigjojë gabimin e saj dhe do t'i lejojë të nxjerrë në ankand medaljen.

Dhe ajo shpreson që Bjellorusia një ditë do të bëhet një shtet demokratik.

“Shpresoj që së shpejti do të vijë një kohë kur Bjellorusia do të jetë e lirë dhe njerëzit do të kenë lirinë e fjalës”, insistoi Tsimanouskaya.