Spezia e ka befasuar Napolin në udhëtim të mërkurën në mbrëmje. Vizitorët mposhtën napolitanët me rezultatin 2:1, ndërsa Ardian Ismajli u ndëshkua me të kuq në pjesën e dytë.
Napoli i Gennaro Gattusos, pjesë e së cilës janë edhe Amir Rrahmani dhe Elseid Hysaj, kaluan në avantazh të parët në minutën e 58-të. Andrea Petagna shënoi për 1:0, pas asistimit të Giovanni Di Lorenzos. Sidoqoftë, Spezia arriti t’i barazojë shifrat 10 minuta më vonë. M’Bala Nzola ishte i saktë nga pika e bardhë. Ndërkohë, qendërmbrojtësi i Shqipërisë, Ismajli, e mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 77-të dhe e la skuadrën me një lojtar më pak në fushë.
Megjithatë, Spezia, për të cilën ishte fitorja e parë pas tetë ndeshjeve rresht, shënoi për 2:1, tetë minuta para fundit. Mesfushori Tommaso Pobega ishte realizator i golit të fitores. Napoli mbetet prapa në tabelë. Në 15 ndeshje ka 28 pikë në vendin e pestë, ndërsa Spezia është në vendin e 16-të me 14 pikë pas 16 ndeshjeve të luajtura.