Tifozët sllovakë nuk janë të bindur se Slovani i Bratisllavës do të kualifikohet në raundin e tretë të Ligës së Evropës.
Sipas tyre, kampioni i Sllovakisë do të eliminohet në ndeshjen e kthimit nga Feronikeli në Prishtinë, pavarësisht epërsisë 2:1 nga ndeshja e parë, e luajtur të martën në Bratisllavë, shkruan sot Koha Ditore.
Në një sondazh të publikuar të premten në versionin online të gazetës "Pravda", më shumë se 60 për qind e lexuesve kanë votuar se Slovani nuk do të kualifikohet në raundin e tretë të Ligës së Evropës. Kjo përgjigje e tifozëve sllovakë ka ardhur pas paraqitjes së dobët të Slovanit në ndeshjen e parë ndaj Feronikelit në stadiumin "Tehelno Pole", ku edhe është vërshëllyer për këtë. Në fakt, Slovani një gol e shënoi nga gjuajtja e lirë dhe një tjetër nga penalltia për të arritur fitoren përballë kampionit të Kosovës.
60.9 për qind të tifozëve iu kanë përgjigjur pyetjes "A do të avancojë Slovani në raundin e tretë të Ligës së Evropës?", duke klikuar mbi përgjigjen "Jo, pas dështimit në Ligën e Kampionëve, do të dështojë edhe në Ligën e Evropës".
25.7 për qind e tifozëve kanë votuar se besojnë në kualifikimin e Slovanit, 6.2 për qind mendojnë se kualifikimi i Slovanit mund të arrihet vetëm me një trajner të ri, kurse 7.1 për qind e tifozëve nuk kanë dashur të komentojnë fare.
Ndeshja e kthimit mes Feronikelit dhe Slovanit do të luhet të martën (30 korrik) në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë prej orës 18:00. Edhe futbollistët e Slovanit pas ndeshjes së parë kanë deklaruar se do ta kenë shumë të vështirë në Prishtinë, duke insistuar se duhet të paraqiten me një fytyrë tjetër. Madje, ish-trajneri i Slovanit, Dushan Galis, që është më i suksesshmi në histori të klubit me pesë tituj të fituar, ka shprehur dyshimet e veta për ndeshjen e kthimit. Galis në një intervistë për të njëjtin medium ka thënë se Slovani në ndeshjen e parë pati një paraqitje të dobët dhe me një lojë të tillë nuk ka çfarë të kërkojë në duelin e kthimit.
"Në atë ndeshje, Slovani dukej që po luante në miqësore, pasi nuk tregoi kurrfarë loje. Në ndeshjen e kthimit duhet 99 për qind ta ndryshojë paraqitjen dhe të ketë mentalitet fituesi nëse dëshiron të vazhdojë tutje. Do të jetë shumë vështirë, por shpresoj që lojtarët të jenë të motivuar", është shprehur Galis.
Te Feronikeli besojnë se Slovani është i kalueshëm për të shkruar historinë, meqë asnjë ekip nga Kosova nuk ka arritur të kalojë raundin e dytë të kësaj gare. Futbollistët e Niklit kanë kërkuar përkrahje të madhe nga tifozët në ndeshjen e kthimit. Feronikelit i mjafton fitorja 1:0 për të shkuar në raundin e tretë, ku do ta priste humbësi i ndeshjes mes Dundalkut dhe Qarabagut në kuadër të raundit të dytë të Ligës së Kampionëve.
Si Feronikeli ashtu edhe Slovani, garat i kanë vazhduar në Ligën e Evropës pas eliminimit në raundin e parë të Ligës së Kampionëve.