Sport

Sigal Prishtina kthehet te fitorja në Superligë

Sigal Prishtina u mposht nga Peja në xhiron e kaluar, por nuk ka lejuar befasi të shtunën në kuadër të xhiros së 21-të të elitës së basketbollit të Kosovës. Ishte edhe ndeshja e fundit e kësaj jave të basketbollit, që i paraprinë ndeshjeve të Kupës së Kosovës që luhen javën tjetër.

Sigal Prishtina fitoi në udhëtim te Vëllaznimi 71:64, në ndeshjen e zhvilluar në palestrën “Shani Nushi”, në praninë e një numri të madh shikuesish që dhuruan atmosferë të zjarrtë. Për Vëllaznimin ishte disfata e parë pas fitores në xhiron e kaluar ndaj Istogut.

Vëllaznimi e nisi fuqishëm këtë ballafaqim dhe e fitoi çerekun e parë me rezultatin 23:15. Por, “bardhekaltrit” u kthyen në lojë në periudhën e dytë. I fituan gjithë çerekët e mbetur, për të triumfuar në fund. Periudhën e dytë, Sigal Prishtina e fitoi me rezultatin 22:19, por ishte Vëllaznimi që shkoi në pushim me epërsi prej pesë pikëve, 42:37.

Në çerekun e tretë, prishtinasit ndalën skuadrën gjakovare në vetëm nëntë pikë, ndërsa shënuan 17-të. 17-të pikë mysafirët i shënuan edhe në periudhën e fundit, ndërsa i pranuan 13-të, për të fituar në fund me shtatë pikë epërsi.

Donte Clark pati paraqitjen më të mirë te Prishtina me 16 pikë të shënuara, tetë kërcime e tri asistime. Henrik Shirko kontribuoi në fitore me 11 pikë, pesë kërcime e katër asistime, kurse Dardan Berisha realizoi 18 pikë, dy kërcime e tri asistime. Jahenns Manigat dhe Myreon Jones ishin më të dalluarit te Vëllaznimi. Manigat pati 18 pikë, dy kërcime e tri asistime, ndërsa Jones shënoi 18 pikë, nëntë kërcime e një asistim.

Sigal Prishtina mbetet në pozitën e tretë me 35 pikë, një më pak se Peja që është e dyta dhe pesë më pak se Trepça lidere. Vëllaznimi zë pozitën e pestë me 30 pikë.